Lidhje

Hunter Biden deklaron pafajësinë, por marrëveshja për shmangien e dënimit mbetet pezull


Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, deklaroi pafajësinë për akuzat për mospagim taksash, pasi një gjykatëse federale në Dellauer tha se i nevojitej më shumë kohë për të shqyrtuar një marrëveshje të tij me prokurorët federalë, për të shmangur akuzat për armëmbajtje të paligjshme.

Ky ndryshim befasues qëndrimi, erdhi pasi ajo që pritej të ishte një seancë rutinë për pranimin e fajësisë u shndërrua në një çështje që zgjati tre ore, mes negociatave nën zë ndërmjet avokatëve dhe pyetjeve të mprehta të gjykatëses Maryellen Noreika.

“Nuk mund ta pranojmë marrëveshjen për pranimin e fajësisë sot”, tha ajo, duke u kërkuar palëve t’i jepnin shpjegime se përse ajo duhet ta merrte një vendim të tillë.

Kjo do të thotë se avokatët e Hunter Bidenit dhe prokurorët mund të bindin gjykatësen Noreika të miratojë marrëveshjen, ashtu siç ishte negociuar më parë, ose ta ndryshojnë atë në një variant që mund të pranohet prej saj.

Marrëveshja fillestare, në bazë të së cilës Hunter Bideni do të pranonte fajësinë për akuzat për mospagim taksash dhe mbajtje të paligjshme të një arme zjarri, në shkëmbim të shmangies së dënimit me burg, u rrëzua pasi gjykatësja shprehu shqetësim lidhur me një nga pikat e saj, që parashikonte shmangien e hetimit të zotit Biden për akuzat lidhur me armëmbajtje të paligjshme, njoftoi rrjeti Bloomberg.

Rrjeti CNN njoftoi se marrëveshja u refuzua për shkak të vazhdimit të hetimeve për shkelje të mundshme të Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

Hunter Biden akuzohet se në vitet 2017 dhe 2018 nuk ka paguar rreth 100 mijë dollarë taksa, për të ardhurat e tij prej më shumë se 1.5 milionë dollarësh.

Po ashtu, ai akuzohet se në tetor 2018, mbajti për 11 ditë një pistoletë pavarësisht se e dinte se ishte përdorues droge. Vetë ai e ka pranuar varësinë ndaj drogës pas vdekjes së të vëllait.

Për vite, Hunter Biden ka qenë në qendër të kritikave të republikanëve se ka shfrytëzuar lidhjet e të atit për përfitime personale nga bizneset në Kinë dhe Ukrainë, megjithëse hetimet e kryera nga prokurori i shtetit Delauer, David Weiss, i emëruar nga ish presidenti Trump, nuk kanë nxjerrë prova në këtë drejtim.

Republikanët po ashtu e kishin kritikuar marrëveshjen e Departamentit të Drejtësisë me zotin Biden duke thënë se ky departament se po mbante një qëndrim të dyfishtë; duke vazhduar hetimet për ish presidentin Donald Trump dhe arritur marrëveshje me djalin e presidentit.

Republikanët e Kongresit i kanë shtuar hetimet ndaj djalit të Presidentit Biden, Hunter. Ata po analizojnë financat e familjes, veçanërisht pagesat që zoti Hunter Biden ka marrë nga ‘Burisma’, një kompani energjie ukrainase, emri i së cilës doli gjatë procesit të parë për shkarkimin e Presidentit Trump.

Po ashtu, një ditë me parë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha se republikanët po shqyrtojnë mundësinë për nisjen e një hetimi që do të çonte në ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Joe Biden lidhur me pretendimet e paprovuara, për shkelje ligjore lidhur me financat.

Sipas tij, Dhomës së Përfaqësuesve i nevojitet informacion rreth asaj që po ndodh me financat e familjes Biden.

XS
SM
MD
LG