Lidhje

Pasojat e ligjit të ri izraelit që kufizon fuqinë e gjyqësorit


Në Izrael tashmë po ndjehen pasojat e ligjit të ri që kufizon kompetencat e gjyqësorit. Mijëra izraelitë thonë se do të largohen nga vendi, ndërsa mijëra rezervistë thonë se nuk do të shërbejnë më në ushtri. Ndërkohë, edhe investitorët po humbasin besimin tek ekonomia izraelite.

Efektet e ligjit të ri izraelit për të kufizuar fuqinë e gjyqësorit tashmë po ndjehen. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, më shumë se një e katërta e të gjithë izraelitëve po mendojnë të largohen nga vendi, nëse vazhdon rishikimi i sistemit të drejtësisë.

Një ditë pas miratimit të ligjit, një grup i ri në aplikacionin WhatsApp i quajtur “Mjekët për Zhvendosje” mblodhi rreth 3,000 pjesëtarë.

“Aktualisht më shumë se 1000 mjekë kanë filluar të shqyrtojnë mundësinë për t’u zhvendosur në vende të tjera. Të tjerë po planifikojnë të marrin leje pa pagesë, ose të pushohen nga puna”, thotë Hagai Levine, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Shëndetit Publik.

Protestës i janë bashkuar edhe rezervistët e ushtrisë, të cilët kanë filluar të vënë në jetë kërcënimet për t’u tërhequr nga dalja vullnetar.

Gazeta izraelite “Haaretz” raporton se është reduktuar kursi për pilotë helikopterësh, pasi gati gjysma e instruktorëve rezervistë, nuk shkojnë më për të dhënë mësim.

"Ne e dimë se në rreth 30 ditë forcat ajrore do të kenë më pak pilotë të aftë se sa kishin më parë”, thotë Amir Bar Shalom, me radion e ushtrisë së Izraelit.

Po ka edhe pasoja ekonomike. Agjencitë e vlerësimit të kredisë, “Moody’s” dhe “Standard and Poors” kanë paralajmëruar se investitorët po humbasin besimin tek Izraeli.

“Vlera e monedhës shekel ka rënë rreth 17%, shumë më tepër se sa mund të parashikohej në kushtet normale të tregut. Një rënie e madhe. Për më tepër, që nga zgjedhjet bursa izraelite ka rënë ndjeshëm. Çka nënkupton humbje prej rreth 80 miliardë dollarësh. E gjithë kjo ka ndodhur vetëm gjatë miratimit të një ligji”, thotë Yannay Spitzer, profesor i ekonomisë në Universitetin Hebraik.

Shumë nga udhëheqësit e protestës vijnë nga sektori i teknologjisë së lartë të Izraelit. Analistët shprehin shqetësime për ikjen e trurit.

“Asgjë nuk më shqetëson më shumë sesa perspektiva e emigrimit të të rinjve tanë më të talentuar. Ata që e mbajnë Izraelin modern, demokratik, që e lidhin Izraelin me botën e gjerë, me ekonominë globale. Këta njerëz janë shtylla e ekonomisë dhe historia e suksesit izraelit”, thotë Yossi Klein Halevi me Institutin Shalom Hartman në Jerusalem.

Një javë pas miratimit të pjesës së parë të ndryshimeve në gjyqësor, parlamenti izraelit filloi pushimet verore tre mujore. Në shtator Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumentet kundër ligjit të miratuar. Kryeministri Netanyahu ka refuzuar të shprehet nëse ai do t'i bindet gjykatës nëse ajo vendos për anulimin e ligjit.

XS
SM
MD
LG