Policia e Kosovës tha se të premten do të ulë për 25 për qind praninë e saj në dhe përreth ndërtesave të komunave në veri të vendit të banuara me shumicë serbe, si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës.
Kjo do të jetë hera e dytë e uljes së pranisë policore pasi qeveria e Kosovës tha më 11 korrik se është pajtuar për një gjë të tillë dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.
Pajtimi u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Vendimi për uljen e dytë të pranisë policore pasoi këshillimet ndërmjet policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për sundimin e ligjit dhe forcave paqeruajtëse të NATO-s.
Njoftimi u mirëprit nga zoti Lajçak i cili shkroi në rrjetet sociale se “ky është një hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë të situatës në veri të Kosovës”.
Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.
Diplomacia perëndimore që atëherë ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.
Janë dy rrugë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja; përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe peticionit që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.