Lidhje

Kosovë: Arrestohen dy zyrtarë qeveritarë dhe një afarist nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore


Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha sot se janë arrestuar tre persona nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria i ka identifikuar personat me iniciale dhe nuk ka dhënë hollësi për shkeljet që kanë kryer.

Kosovë, arrestohen tre persona nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:06 0:00

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë tha se dy nga të arrestuarit janë Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian, i cili më parë ishte sekretar në këtë ministri. I arrestuari i tretë sipas medias lokale është afaristi Ridvan Muharremi.

Operacioni i sotëm pasoi publikimin e disa audio-regjistrimeve nga portali “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha përmes një komunikate se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore edhe pse shprehet “e bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha të premten pasdite gjatë një konference me gazetarë se të gjitha procedurat për blerjen e rezervave shtetërore gjatë vitit 2022 janë kryer sipas legjislacionit në fuqi.

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha ajo.

Ministrja Hajdari i bëri thirrje organeve të rendit që gjatë hetimeve të mos e cenojnë sigurinë shtetërore ndërsa theksoi se “dokumentet të cilat janë marrë si prova nga ana e policisë në ministrinë e Industrisë janë klasifikuar si sekrete shtetërore ndërsa policia e njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete, ka qenë në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.”.

Ministrja Hajdari tha se nuk sheh arsye që të jap dorëheqje nga posti i saj dhe se nuk ka dyshime për keqpërdorim nga ana e zyrtarëve të arrestuar të ministrisë. Ajo tha se për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku.

“Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”, tha ajo.

Arrestimet e sotme, nxitën reagimin e opozitës e cila kërkon përgjegjësi nga zyrtarët e lartë qeveritarë.

Partia Demokratike e Kosovës tha sot se përgjegjësia politike, publike dhe penale bie mbi ministren e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë Rozeta Hajdari. Betim Gjoshi nga ky subjekt kërkoi shkarkimin nga detyra e ministres Hajdari, për t’i hapur siç tha rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht.

“Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa here ne si parti, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, tha ai.

Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se dorëheqja e ministres Rozeta Hajdari nuk mjafton por duhet të jap përgjegjësi para organeve të rendit.

“Gjitha faktet e publikuara deri tani na bëjnë të besojmë që në aferën e rezervave shtetërore kemi përfshirje të niveleve më të larta të kësaj qeverie, po flas për nivelin më të lartë politik. Prandaj edhe hetimi duhet të mos ndalet tek zyrtarët dhe sekseri Ridvani por duhet të përfshijë të gjitha nivelet e qeverisjes. Dorëheqja e ministres nuk mjafton, e njëjta duhet të largohet nga ai vend dhe të jap përgjegjësi para organeve të rendit”, tha zoti Rukiqi.

Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këtë artikuj mungojnë në treg.

XS
SM
MD
LG