Ish-avokati personal i zotit Donald Trump, Rudolph Giuliani u dorëzua të mërkurën në një burg të Qarkut Fulton të Xhorxhias për t'u përballur me akuzat se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në shtetin e Xhorxhias në vitin 2020.
Zoti Giuliani, një ish-prokuror federal dhe kryebashkiak i qytetit të Nju Jorkut, u urdhërua të paguante një garanci prej 150,000 dollarësh dhe të mos frikësonte të pandehurit e tjerë në çështje ose dëshmitarët, sipas dokumenteve të gjykatës. Shuma prej 150 mijë dollarësh humbet nëse zoti Giuliani nuk paraqitet në gjykatë kur t’i kërkohet.
Deri tani shtatë të akuzuar të tjerë janë dorëzuar në një burg në Atlanta, sipsa të dhënave të qarkut. Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, ka ngritur akuza ndaj zotit Trump dhe 17 të tjerëve se u përpoqën të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Xhorxhia.
Zoti Trump, kandidati kryesor për të marrë emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet e vitit 2024 përballë demokratit Joe Biden, vazhdon të pretendojë në mënyrë të rreme se humbja e tij ishte rezultat i mashtrimeve zgjedhore.
Duke folur në Nju Jork përpara se të udhëtonte me avion për në Atlanta, zoti Giuliani i mohoi akuzat dhe mbrojti zotin Trump.
“Ndihem shumë mirë sepse ndihem sikur po mbroj të drejtat e të gjithë amerikanëve”, tha zoti Giuliani për gazetarët. “Po them të vërtetën, ata po gënjejnë”.
Giuliani, 79 vjeç, akuzohet se drejtoi përpjekjet e zotit Trump për të detyruar ligjvënësit shtetërorë në Xhorxhia dhe shtete të tjera të kontestuara që të mos marrin parasyshë vullnetin e votuesve dhe të emërojnë në mënyrë të paligjshme elektorë që mbështesin zotin Trump.
Ish-Presidenti Trump do të paraqitet të enjten për t'u përballur me padinë e tij të katërt penale këtë vit. 10 të pandehurit e tjerë në aktakuzën e ngritur në Xhorxhia kanë afat deri të premten për t'u dorëzuar. Zoti Trump i ka quajtur aktipaditë të motivuara politikisht.
Avokatja Sidney Powell, e cila luajti një rol udhëheqës në nxitjen e pretendimeve të rreme për mashtrime zgjedhore, u dorëzua të mërkurën në burg, sipas autoriteteve.
Avokati i fushatës së zotit Trump, Kenneth Chesebro, i paditur për gjoja se ka ndihmuar në hartimin e një plani për të paraqitur elektorë të rremë në mbështetje të zotit Trump për të penguar certifikimin e zgjedhjeve nga Kongresi, u dorëzua në zyrën e sherifit të Qarkut Fulton të mërkurën, sipas dokumentave.
Ray Smith, një avokat që më parë përfaqësonte zotin Trump në Xhorxhia, gjithashtu u dorëzua të mërkurën.