Lidhje

Ligjvënësit republikanë, hetime prokurores së çështjes kundër ish-Presidentit Trump në Xhorxhia


Kryetari i Komisionit për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve, Jim Jordan, duke folur gjatë një seance dëgjimore
Kryetari i Komisionit për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve, Jim Jordan, duke folur gjatë një seance dëgjimore

UASHINGTON – Ligjvënësit republikanë filluan të enjten një hetim ndaj prokurores së Qarkut Fulton në Xhorxhia, Fani Willis, ndërsa ish-Presidenti Donald Trump po përgatitet të paraqitet tek autoritetet për akuzat penale që ajo ka ngritur për përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.

Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, një aleat i vendosur i zotit Trump, i dërgoi Prokurores Willis një letër ku parashtron pyetje nëse ajo koordinoi hetimin e saj me Departamentin amerikan të Drejtësisë, përfshirë me Prokurorin e Posaçëm Jack Smith, apo nëse përdori fonde të mbledhura nga taksat federale për hetimin e saj.

“Qeveria federale ka një interes domethënës për mirëqenien e ish-presidentëve”, shkruan Ligjvënësi Jordan në letrën prej pesë faqesh të drejtuar Prokurores Willis.

“Dhe për shkak se ky ish-president është kandidat aktualisht për po atë post, procesi hetimor përfshin edhe një tjetër interes themelor federal: zgjedhjet presidenciale”, shkruan ai.

Ligjvënësi Jordan ngre shqetësime për motivet që pati prokurorja për të filluar këtë çështjeje hetimore dhe deklaron se Kongresi ka autoritetin “të hetojë nëse ish-presidentët janë bërë objekt procesesh hetimore të motivuara politikisht”. Në letrën e tij, Ligjvënësi Jordan sinjalizon gjithashtu se ligjvënësit mund të shqyrtojnë mundësinë e legjislacionit të ri për përdorimin në të ardhmen të fondeve federale nga strukturat e ligjit në nivel lokal në shtetet amerikane.

Zyra e Prokurores Willis nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Republikanët kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ligjvënësi Jordan dhe kryetarët e dy komisioneve të tjera të Dhomës së Përfaqësuesve kanë filluar një hetim të ngjashëm edhe ndaj Prokurorit të Qarkut Manhatan, Alvin Bragg, i cili ngriti akuza penale ndaj ish-Presidentit Trump, në lidhje me shumat e paguara për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Në përgjigje, Prokurori Bragg paraqiti padi ndaj Ligjvënësit Jordan për të ndalur atë që prokurori e quan një “fushatë frikësimi”.

Ish-Presidenti Trump përballet këtë vit me akuza penale në kuadër të katër çështjeve gjyqësore, dy prej tyre të çelura nga Prokurori Smith. Zoti Trump, i pari ish-president amerikan ndaj të cilit ngrihen akuza, është kryesuesi në garën brenda Partisë Republikane për t’u përballur me Presidentin demokrat Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Ligjvënësi Jordan i dha Prokurores Willis kohë deri më 7 shtator për të paraqitur dokumentat dhe komunikimet që kanë të bëjnë me përdorim të fondeve federale nga zyra e saj, si dhe kontaktet në lidhje me çështjen kundër ish-Presidentit Trump me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, apo në pjesë të tjera të administratës së Presidentit Biden.

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve u bë i ditur tre ditë pasi ish-Presidenti Trump akuzoi Prokuroren Willis në platformën e tij të medias sociale për “vazhdim të fushatës, dhe mbledhje fondesh për këtë GJUETI SHTRIGASH. Kjo është në koordinim të rreptë me Departamentin e Drejtësisë të Joe Biden-it. Gjithçka synon NDËRHYRJEN NË ZGJEDHJE!”.

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi letrën e Ligjvënësit Jordan, ndërsa ish-Presidenti Trump po përgatitej të enjten të jepte shenjat e gishtave dhe të fotografohej në burgun e Atlantas, për shkak të 13 akuzave penale, ndër to edhe një akuzë për mashtrim që përdoret zakonisht kundër grupeve të organizuara kriminale.

Sipas dosjes së paraqitur nga Prokurorja Willis, ish-Presidenti Trump akuzohet se bëri presion të paligjshëm ndaj zyrtarëve të shtetit Xhorxhia për të përmbysur humbjen e tij përballë Presidentit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Ish-presidenti, tashmë në moshën 77-vjeçare, përballet me 91 akuza penale në gjykata të ndryshme në mbarë vendin. Ai ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje.

XS
SM
MD
LG