Lidhje

Mitrovicë e Veriut, shtyhet vendimi për lirimin e një ndërtese komunale nga strukturat serbe


Ndertesa Mitrovicë
Ndertesa Mitrovicë

Autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut thanë se e kanë shtyrë për dy javë zbatimin e vendimit për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave serbe, mes shqetësimeve ndërkombëtare për ndikimin e mundshëm të këtij vendimi në situatën e sigurisë.

Mitrovicë e Veriut, shtyhet vendimi për lirimin e një ndërtese komunale nga strukturat serbe
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e konfirmoi vendimin në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës. Zyra e tij ndërkaq tha se arsyeja e këtij vendimi është “ofrimi i kohës për palët për zhvendosje nga ndërtesa”.

Autoritetet komunale në Mitrovicën e Veriut, të cilat nuk pranohen nga përfaqësuesit serbë, thanë se i kanë dorëzuar nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta "lirojnë" një ndërtesë në pronësi të komunës, nëse nuk sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për shfrytëzimin e saj.

Lista Serbe tha përmes një deklarate se punonjësit e institucioneve të Serbisë janë njoftuar se duhet të largohen brenda tri ditësh nga ndërtesa, duke e cilësuar këtë një veprim që mund të rrisë tensionet.

Një ditë më parë Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës të bashkërendohet për të gjitha veprimet që lidhen me komunat veriore, duke theksuar se vendimi i autoriteteve në Mitrovicën e Veriut bie ndesh me përpjekjet për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë i tha Zërit të Amerikës se autoritetet e Mitrovicës së Veriut nuk janë bashkërenduar me komunitetin ndërkombëtar për këtë veprim, i cili siç u tha bie ndesh me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të shmangur veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën.

Në ndërtesën e diskutueshme veprojnë katër institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe i ashtuquajturi Qarku Administrativ i Mitrovicës.

Zëdhënësi i BE-së tha se “çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të trajtohet në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe në kontekstin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai theksoi rëndësinë e hapave që duhet të hidhen për uljen e tensioneve në veri përmes një plani të Bashkimit Evropian që parasheh pezullimin e operacioneve në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa pret nga Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri, ku tensionet shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë të komunave u dërguan në zyrat e tyre me përcjelljen e policisë.

XS
SM
MD
LG