Lidhje

Izrael, aktivistët akuzojnë qeverinë për masa kundër grave


Në Izrael, aktivistët e të drejtave të grave janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar lidhur me përpjekjet e qeverisë së re për të ndarë burrat dhe gratë në hapësirat publike. Aktivistët e të drejtave të grave kanë qenë në frontin e parë të protestave kundër qeverisë aktuale, që vazhdojnë prej tetë muajsh.

Izrael, aktivistët akuzojnë qeverinë për masa kundër grave
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:22 0:00


Kur një grup vajzash adoleshente, të veshura me pantallona të shkurtra dhe dekolte, hipën kohët e fundit në autobus në Izrael, shoferi i detyroi ato të uleshin në fund të autobusit dhe të mbuloheshin me shall.

Ky veprim shihet si prirje shqetësuese në shoqërinë izraelite.

Një prej vajzave, Eliyah Lior, tregoi për kanalin televiziv Kan 11 se çfarë ndodhi.

“Në autobus kishte burra ultra-ortodoksë dhe sapo hipëm na shikuan me çudi. U ulëm duke mos ditur se çfarë do të ndodhte. U ndjeva e poshtëruar dhe e pafuqishme”.

Shoferi i autobusit u pezullua, ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ata që diskriminojnë gratë në autobusë do të ndëshkohen.

Këto lloj incidentesh nuk janë të reja. Ato janë bërë gjithnjë e më të zakonshme ndërsa komuniteti dhe partitë politike ultra-ortodokse fitojnë më shumë hapësirë në qeverinë aktuale dhe propozojnë ligje të reja, ku përfshihet edhe ndarja me baza gjinore në plazhe, parqe kombëtare, koncerte dhe madje edhe në universitete.

“Qeveria tashmë ka shpërbërë Autoritetin për Avancimin e Statusit të Gruas. Po përpiqet të largojë gratë nga hapësirat publike përmes mënyrave që nuk do të konsiderohen krim, një marrëveshje e koalicionit. Ndarja gjinore do të shtrihet edhe në hapësirën akademike, çka do t’u heqë grave akademike mundësinë e punësimit”, thotë për Zërin e Amerikës aktivistja izraelite Elana Sztokman.

Shtimi i sfidave ndaj të drejtave të grave nga politikanët ultra-ortodoksë dhe mbështetësit e tyre nxitën mijëra gra që të protestojnë në rrugët e qytetit Bnei, të banuar kryesisht nga izraelitët ultra-ortodoksë. Protestuesit mbanin pankarta për barazinë gjinore, ndërsa disa gra debatuan me burra ultra-ortodoksë.

Gratë i kundërshtojnë përpjekjet e ultra-ortodoksëve për të vendosur më shumë kufizime ndaj shoqërisë liberale laike izraelite.

Ultra-ortodoksët tashmë kontrollojnë shumë çështje civile, si martesat dhe divorcet. Aktualisht, partitë ultra-ortodokse në qeveri po përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre edhe më shumë përmes projektligjeve që do të lejonin gjykatat fetare të marrin vendime për kujdestarinë e fëmijëve në raste divorcesh dhe mbështetjen e tyre financiare.

“Shpresoj që të ketë një ndarje mes fesë dhe shtetit dhe njerëzit të jetojnë ashtu siç duan vetë, pa përdorur pushtetin e fesë”, thotë për Zërin e Amerikës protestuesja për të drejtat e grave Orli Beersheva.

Aktivistët e të drejtave të grave kanë qenë në frontin e parë të protestave kundër qeverisë aktuale, që vazhdojnë prej tetë muajsh. Kundërshtarët thonë se qeveria është e ekstremit të djathtë dhe ndikohet nga konservatorët fetarë.

Gra të veshura me rroba të kuqe kanë marshuar në shumë prej demonstratave, duke shprehur drojën lidhur me qëllimet e qeverisë për të kufizuar liritë e grave. Por qeveria thotë se do ta mbrojë barazinë për gratë.

Ultra-ortodoksët, të cilët kontrollojnë 18 vende në Parlamentin me 120 anëtarë, thonë se i respektojnë gratë dhe se ndarja e burrave dhe grave në mjedise publike është e mirë për familjen dhe shoqërinë.

Deri më tani, aktivistët e të drejtave të grave mund të mbështeteshin tek Gjykata e Lartë për të luftuar kundër diskriminimit gjinor. Por ato shqetësohen se plani i qeverisë aktuale për reformimin e drejtësisë, që synon dobësimin e Gjykatës së Lartë, tani do ta vështirësojë kauzën e tyre.

XS
SM
MD
LG