Lidhje

Shqipëri, meshë solemne kushtuar Shenjtores Nënë Tereza


Në katedralen që i kushtohet shenjtores Nënë Tereza, në Vau Dejës, u përkujtua të martën dita e shenjtërimit dhe 26 vjetori i ndarjes së saj nga jeta. Katedralja është ndërtuar në vitin 2008 dhe është e vetmja në Shqipëri që i kushtohet bamirëses së njohur me origjinë shqiptare, Nënë Terezës. Motrat e Nënë Terezës po vazhdojnë misionin e saj deri në zonat më të thella të Shqipërisë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar, të braktisurve dhe më të varfërve.

Shqipëri, meshë solemne kushtuar Shenjtores Nënë Tereza
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Banorët e Dioqezës së Sapës, ku përfshihen Zadrima, Puka, Kukësi dhe Tropoja, përkujtuan të martën 7 vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës dhe 26 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Në katedralen që gjendet në qendër të Vau Dejës, ndërtuar në vitin 2008 dhe që është e vetmja në Shqipëri që i kushtohet bamirëses me origjinë shqiptare, Shenjtores Nënë Tereza, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, tha gjatë meshës solemne se, në këtë ditë kushtuar Shenjtes Nënë Tereza të lutemi që të jemi një familje e vetme dhe të ndjekim shëmbullin e saj.

“Ky është shembulli dhe modeli që na e ka mësu nana jonë Tereze. Në lutje, në heshtje, në adhurim, në shërbim ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Kaq ka dhuru ajo për njerëzit e Botës”, tha ai.

Dioqeza e Sapës, në pjesën më të madhe, shtrihet në zonën malore në veri të Shqipërisë, ku edhe niveli i varfërisë dhe ai i emigracionit të të rinjve është më i lartë se në pjesën tjetër të vendit. Në gjurmët e Nënë Terezës, motrat e saj, së bashku me dhjetëra të rinj e të reja vullnetarë të karitasit të kësaj dioqeze, udhëtojnë në fshatrat më të largët në ndihmë të të sëmurëve, njerëzve me aftësi të kufizuar dhe më të varfërve.

Vullnetarja Miranda Kola thotë se është kënaqësi e madhe në këtë ditë të shënuar, me ju shërby këtyre njerëzve, me ba pak nga ajo që ka ba Nanë Tereza për të varfërit dhe për të sëmurët.

Ndërsa, Eduard Paloka thotë se, prej 20 vitesh është vullnetar i karitasit të Dioqezës së Sapës dhe, për këtë dioqezë, kjo është ndër ditët më të veçanta, më të lumtura, sepse ne krenohemi që katedralja jonë mban emrin e Nënë Terezës.

Përkujtimi dhe nderimi për Shenjtoren me origjinë shqiptare Nënë Terezën, për imzot Simon Kullin duhet të bëhet çdo ditë përmes veprave të vogla në shërbim të njerëzve në nevojë dhe, në veçanti, për personat e vetmuar që po shtohen nga dita në ditë për shkak të emigracionit të të rinjve.

“Ne e shikojmë edhe në ditët e sotme vetminë tek shumë persona, sidomos tek pleqtë, që kanë mbetë ndër familjet tona. Dhe mesazhi kryesor sot, në ditën e festës së Nënë Terezës, është që mos ta ndjejnë kurrë vetminë, por nëpërmjet lutjes,
nëpërmjet meshës, nëpërmjet vëllazërimit, nëpërmjet shërbimit për të varfërit dhe të sëmurët, ne arrijmë që të jemi një familje e vetme në Krishtin Zot”,
tha ai.

Pas meshës solemne, banorët e Dioqezës së Sapës, së bashku me personat me aftësi të kufizuar, u lutën përpara shtatores së Shenjtores Nënë Tereza, të vendosur në afërsi të katedrales që mban emrin e saj.

XS
SM
MD
LG