Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi të hënën një takim me Nënpresidentin kinez Han Zheng në Nju Jork, ndërsa po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ky është zhvillimi më i fundit në një seri takimesh që synojnë uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Në një deklaratë pas takimit, Departamenti i Shtetit tha se dy zyrtarët zhvilluan "një diskutim të sinqertë dhe konstruktiv". Sipas Departamentit të Shtetit zoti Blinken dhe zoti Han ranë dakord të mbajnë linja të hapura komunikimi. Ata diskutuan lidhur me sulmin e Rusisë në Ukrainë, Korenë e Veriut si dhe ngushticën e Tajvanit.
Bisedimet Blinken-Han mund të krijojnë kushtet për një takim mes Presidentit Joe Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping më vonë gjatë këtij viti.
Bisedimet pasojnë 12 orë takime gjatë fundjavës së kaluar mes Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan dhe Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi në Maltë.
"Bota pret që ne të menazhojmë me përgjegjësi marrëdhëniet tona", tha zoti Blinken në një fjalim të shkurtër në fillim të takimit me zotin Han. "Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të bërë pikërisht një gjë të tillë", shtoi ai.
Presidenti Biden u shpreh i zhgënjyer nga vendimi i zotit Xi për të mos marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të vendeve të G20 në Indi, por tha se do ta "takonte" presidentin kinez.
Një tjetër rast i mundshëm që zoti Biden të zhvillojë bisedime me zotin Xi është një takim i nivelit të lartë në kuadër të Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit që mbahet në San Francisko në nëntor.
Por as zoti Blinken dhe as zoti Han në komentet e tyre nuk përmendën në mënyrë të qartë nëse një takim i tillë do të materializohej.
"Aktualisht, marrëdhëniet Kinë-SHBA përballen me shumë vështirësi dhe sfida", i tha zoti Han, zotit Blinken, duke vënë në dukje se Kina shpresonte se SHBA-të të bëjnë përpjekje për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
"Bota ka nevojë për marrëdhënie të qëndrueshme dhe të shëndetshme Kinë-SHBA", tha zoti Han.
Uashingtoni dhe Pekini kanë në mosmarrëveshje për çështjet që variojnë nga Tajvani, tregtia, apo të drejtat e njeriut.