Lidhje

Presidenti Biden pret në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin ukrainas


Zelensky-Biden
Zelensky-Biden

Presidenti Zelenskyy ka zhvilluar një numër takimesh të enjten në Uashington, duke përfshirë takime me ligjvënës në Kapitol dhe me Sekretarin e Mbrojtjes në Pentagon, në përpjekje për forcuar mbështetjen për më shumë ndihmë për luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit Zelenskyy në Uashington që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe vjen pasi kërkesa e Presidentit Biden drejtuar Kongresit për 24 miliardë dollarë shtesë për nevojat ushtarake dhe humanitare të Ukrainës nuk është miratuar ende.

Ndërkohë në Ukrainë, Rusia nisi sulmet e saj më të rënda në një muaj në orët para mbërritjes së zotit Zelenskyy në Kongres, në të cilat u vranë tre njerëz. Në shënjestër të sulmeve ruse me raketa dhe artileri ishte infrastruktura energjetike në shumë qytete në të gjithë Ukrainën.

Takimet e Presidentit Zelenskyy me ligjvënësit amerikanë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje të enjten ligjvënësve amerikanë për mbështetje të vazhdueshme të përpjekjeve të vendit të tij ndaj Rusisë, mes pikëpyetjesh të ngritura nga republikanët nëse Kongresi duhet të miratojë një raund të ri ndihme për vendin e tij, pavarësisht një përparimi të ngadaltë kundër pushtuesve rusë.

Zoti Zelenskiy udhëtoi drejt Uashingtonit pasi u përpoq të sigurojë mbështetje ndërkombëtare në Kombet e Bashkuara. Krahas takimeve në Kongres dhe me udhëheqësit ushtarakë në Pentagon, zoti Zelenskyy pritet të takohet me Presidentin Joe Biden, si dhe të mbajë një fjalim në mbrëmje në muzeun e Arkivave Kombëtare. Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë Presidenti Biden pritet të shpallë një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, që përfshin dhe sisteme të mbrotjes ajrore.

Ndërsa kundërofensiva ushtarake e Ukrainës vazhdon dhe Kongresi është përfshirë nga debatet mbi buxhetin duke nxitur shqetësimet për një mbyllje të mundshme të qeverisë, një numër në rritje i republikanëve kanë ngritur pikëpyetje rreth miliarda dollarëve që Uashingtoni i ka dërguar Kievit për nevoja ushtarake, ekonomike dhe humanitare.

Gjatë një seance me dyer të mbyllura të Senatit, zoti Zelenskyy informoi senatorët amerikanë mbi zhvillimet e fundit në vendin e tij, fjalim që ishte shoqëruar me ovacione, sipas një postimi në platformën X të senatorit Chris Murphy.

"Ne zhvilluam një dialog të shkëlqyer", u tha zoti Zelenskyy gazetarëve në Kapitol pas takimit.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer tha se gjatë takimit me dyer të mbyllura zoti Zelenskiy u kishte thënë senatorëve se ndihma ushtarake ishte thelbësore për përpjekjet luftarake të Ukrainës.

"Nëse nuk marrim ndihmën, do ta humbasim luftën", kishte thënë zoti Zelensky sipas zotit Schumer.

Në Pentagon, zoti Zelenskyy u mirëprit nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe vizitoi gjithashtu memorialin që kujton sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Që nga fillimi i sulmit të Rusisë në shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar rreth 113 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe sigurie për Ukrainën.

Të mërkurën Presidenti Zelenskyy kërkoi ndihmë financiare edhe nga disa prej miliarderëve më të njohur të Amerikës, që operojnë në fusha të tilla si financat, teknologjia dhe sportet.

XS
SM
MD
LG