Lidhje

Shkup, Përplasjet në mes krerëve të VMRO-DPMNE-së nxisin debate të gjera


Grindjet midis kreut aktual të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe ish-drejtuesit të partisë, Nikolla Gruevski që kanë për zanafillë ndryshimet e fundit të Kodit Penal po nxisin debate edhe tek partitë tjera më të mëdha në vend. Zoti Mickovski, ndërkohë po përpiqet të përfshijë partitë e pushtetit, Lidhjen Social Demokrate dhe Bashkimin Demokratik për Integrim në atë që këto të fundit e quajnë “intriga dhe sherr brenda VMRO-së”.

Shkup, përplasjet në mes krerëve të opozitës nxisin debate të gjera
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00


Ndërkohë që zënkat midis drejtuesit aktual të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski dhe ish-kreut të partisë dhe ish-kryeminisër Nikolla Gruevski po shikohen në mënyra të ndryshme tek përkrahësit e opozitës maqedonase, nga ana tjetër është theksuar pakënaqësia nga disa ekspertë të çështjeve ligjore për ndryshimet e Kodit Penal. Pikërisht, Kodi i ri Penal nxiti përplasjet midis kreut dhe ish-kreut të VMRO-së.

Hristijan Mickovski, në fakt e filloi i pari kur e fajësoi në një intervistë për shtypin gjerman paraardhësin e tij Gruevski se është në komunikim të fshehtë me qeverinë lidhur me amnistinë e mundshme për veprat dhe akuzat e organeve të hetuesisë ndaj tij.

Edhe Mickovski edhe Gruevski i kanë shfrytëzuar grindjet mes tyre për të sulmuar pushtetin dhe Lidhjen Social Demokrate, në veçanti. Ish-kryeminstri, i cili ndodhet në arrati në Budapest të Hungarisë, ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke thënë se provokimi ndaj tij ishte planifikuar që më parë dhe se ai ishte i “përjashtuar” në tërësi, siç është shprehur, nga partia amë.

Ndërkohë, një pjesë e analistëve janë të mendimit se jo të gjitha veprat penale për të cilat akuzohet zoti Gruevski apo që tanimë është dënuar në mungesë me heqje lirie, përfshihen me Kodin e ri Penal.

“Por të shohim se çka do të ndodh në zgjedhje; mund të ketë lëvizje serioze nëse Gruevski në konfrontim me Mickovskin vendos të dalë me listën e vetë të kandidatëve në zgjedhje”, thotë analisti Petar Arsovski.

Lidhja Social Demokrate bën thirrje që të përjashtohet nga grindjet dhe ndasitë brenda opozitës:

“I dëshpëruari Mickovski le të mos e ngatërrojë Lidhjen Social Demokrate në përplasjet e brendshme partiake; vetë le t’i zgjidhë zënkat”, tha Bogdanka Kuzevska e Lidhjes Social Demokrate, ndërsa akuzoi se zoti Mickovski ka marëveshje të fshehta me ish-kryeministrin e arratisur Nikolla Gruevski.

VMRO-DPMNE është e sigurtë se të gjithë deputetët janë të bashkuar rreth kryesisë aktuale.

“Gjithçka që mund të ndodhë në periudhën e ardhshme kohore nuk do të na shmang nga qëndrimi se të gjithë 44 deputetët tanë janë kundër ndryshimeve kushtetuese”, tha Bojan Stojanoski, ligjvënës i VMRO-DPMNE-së së opozitës.

Nga ana tjetër, përplasjet brenda partisë opozitare maqedonase janë pasqyruar edhe tek partitë shqiptare. Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër pas një postimi të kreut opozitar Mickovski në rrjetet sociale ku duket në një fotografi me ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila po vuan dënimin me 4 vjet burg. Partia Shqiptare e quan këtë një përpjekje për rehabilitimin e krimit politik dhe institucional si viktimë politike, ndërsa thotë se kjo dëshmon se e ardhmja e VMRO-së mbetet krimi dhe errësira.

XS
SM
MD
LG