Lidhje

Vuçiç: Kurti fajtor për çdo gjë në Kosovë – KFOR-i dha lejen për vrasjen e serbëve të rrethuar në manastir


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, fajësoi të dielën në mbrëmje kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për situatën në veri, ndërsa akuzoi forcat paqeruajtëse të NATO-s se i dhanë lejen policisë së Kosovës të vrasë grupin e serbëve që vrau një pjesëtar të policisë.

Në një konferencë me gazetarë të dielën në mbrëmje, zoti Vuçiç tha se serbë nga Kosova e jo nga Serbia “ngritën krye duke mos dashur të vuajnë më nën terrorin e Kurtit” dhe “ishte vetëm çështje kohe kur ata që ndiqeshin nga policia do të provonin të bëjnë diçka për veten dhe familjet e tyre”, tha ai.

“Nuk dua të arsyetoj vrasjen e policit. Është për t’u dënuar dhe nuk i duhet askujt, më së paku serbeve kur dihet se Kurti është shkaktari i kaosit në Kosovë”, tha Presidenti i Serbisë.

Ai tha se tre serbë u vranë, ndërsa shfaqi dyshimet edhe nje tjetër mund të ketë humbur jetën gjatë përleshjeve.

“Për një orë e 20 minuta ata ishin nën rrethim të plotë dhe mbi ta është kryer sulm brutal”, tha presidenti serb duke nënvizuar se “KFOR-i u dha dritën e gjelbër” forcave të policisë së Kosovës për vrasjen e tyre.

“Fajtori i vetëm është Albin Kurti” përsëriti disa herë presidenti serb, duke theksuar se “Dëshira e vetme e Kurtit është të na fus në luftë me NATO-n”.

Ai hodhi poshtë mundësinë që ushtria apo policia e Serbisë të jenë përfshirë në ngjarjet e së dielës.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë “për qetësi dhe përmbajtje”, ndërsa komunitetit ndërkombëtar të “themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe që veri serbët të jenë në polici, sepse kjo është e vetmja mënyrë që serbët të mos dëbohen nga vatrat e tyre apo që të mos ketë konflikte”.

Serbia tha ai, është e gatshme për bisedime “por kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

Beogradi i mbështetur nga Moska kundërshton shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që u dha fund mizorive të forcave serbe mbi shqiptarët gjatë luftës së viteve 1998-1999.

XS
SM
MD
LG