Në Kukës ka përfunduar numrimi i votave duke nxjerrë fitues për bashkinë e këtij qyteti kandidatin socialist Albert Halilaj, i cili arriti të marrë rreth 5600 vota më shumë se rivali i tij, Emri Vata, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Albert Halilaj ka siguruar 13025 vota, ndërsa Emri Vata 7431 vota.
Në këto zgjedhje të pjesshme socialistët arritën të marrin 1393 vota më shumë se katër muaj më parë, në zgjedhjet vendore të 14 majit, ku fitues doli Safet Gjici, i cili u detyrua të japë dorëheqjen pas skandalit seksual në zyrën e tij në bashki.
Sipas KQZ-së, ecuria e procesit të numërimit të votave ishte e qetë, monitoruar nga stafi teknik dhe i mbikqyrur në kohë reale në Qendrën e të Dhënave në KQZ.
Në zgjedhjet e pjesshme të së dielës në Kukës, Partia Demokratike zyrtare nuk mori pjesë për shkak të mosgjetjes së konsensusit mes opozitës për kandidatin e propozuar prej saj.
Socialistët e vlerësuan fitoren e tyre në bashkinë Kukës, por thanë se nuk do të festojnë për momentin për të respektuar zinë kombëtare në Kosovë, pas vrasjes së efektivit të policisë në veri të vendit.
Ashtu siç pritej, menjëherë pas daljes se rezultatit paraprak të votimeve në Kukës, kanë nisur edhe reagimet e para në kampin opozitar.
Kryetari i degës së Partisë Demokratike zyrtare, Arif Rexhmati, përmes një deklarate shprehet se "alternativa e servirur si e djathtë nga koalicioni 'Bashkë Fitojmë', në të vërtetë nuk ishte asgjë më tepër, por një sallatë politike me mbetje të së djeshmes komuniste, të korruptuar".
Në Bashkinë Kukës u votua në 74 qendra votimi, njëra prej të cilave ngritur në institucionin e paraburgimit të Qarkut Kukës.
Për identifikimin e zgjedhësve u përdoren pajisje elektronike të identifikimit (PEI) të vendosura në të gjitha qendrat e votimit.
Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje të pjesshme u regjistruan si subjekte zgjedhore 5 parti politike dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ndërsa të drejtë vote kishin 45 946 zgjedhës. Po sipas KQZ, në këto zgjedhje morën pjesë 45.63 përqind e zgjedhësve me të drejtë vote.