Lidhje

Borrell: Grumbullimi ushtarak serb në kufirin me Kosovën të ndalet menjëherë


Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se grumbullimi i forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën është shumë shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.

Borrell: Grumbullimi ushtarak serb në kufirin me Kosovën të ndalet menjëherë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:37 0:00

“Nuk ka vend për armë dhe forca sigurie të grumbulluara në kontinentin evropian. Forcat duhet të tërhiqen”, tha ai për shtypin duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë pas ngjarjeve të 24 shtatorit, ku u vra një punonjës policie në veri të Kosovës gjatë një sulmi nga një grup i armatosur.

Gjatë përleshjeve që pasuan vrasjen e oficerit të policisë, tre sulmues mbetën po ashtu të vrarë në incidentin më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Kapja e armëve dhe pajisjeve të javës së kaluar është shumë serioze”, tha zoti Borrell duke nënvizuar se autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë.

Ai tha se është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët situatën aktuale në veri të Kosovës “e cila para së gjithash kërkon shtensionim dhe stabilizim të situatës së sigurisë” dhe blloku është në kontakt të ngushtë dhe të rregullt me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje.

“Ne duhet të kthehemi në një situatë ku palët flasin dhe kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është platforma e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”, tha zoti Borrell.

Autoritetet më të larta të administratës amerikane ngritën të premten shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti "të pashembullt".

Ai tha se ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit duke i bërë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes.

Shqetësimet e ngritura ishin pjesë e bisedës telefonike të këshilltarit të Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se institucionet e vendit janë duke shtuar bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë për mbrojtjen e kufirit në veri pasi Kosova nuk mund të dërgojë Forcat e Sigurisë së saj në atë pjesë pa pëlqimin e NATO-s.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e përgjithshme të partisë së tij, lëvizja Vetëvendosje, duke cituar një marrëveshje të vitit 2013 ndërmjet ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas së cilës Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon Forcën e Sigurisë së Kosovës të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatët ndërkombëtarë, lidhur me praninë e NATO-s atje. Për këtë akt të agresionit ndaj Republikës sonë, Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë nuk është ndëshkuar për krimet e saj, i ka përsëritur ato dhe kjo nuk duhet lejuar”, tha ai.

Prishtina, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë e cilësuan sulmin e së dielës si veprim terrorist. Autoritetet në Kosovës thanë se prapa sulmit, të cilin të premten e mori përsipër nënkryetari i deritashëm i Listës Serbe Milan Radoiçiç, është Beogradi.

Serbia mohoi lidhjet me grupin ndërsa akuzoi Prishtinën për krijimin e një mjedisi të rëndë për serbët në veri.

Kryeministri Albin Kurti tha se policia e Kosovës po vazhdon operacionin kundër terroristëve për të vendosur paqen dhe sigurinë në veri të vendit.

“Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë përveç se para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur fshehurazi nëpër mal e që janë strehuar nga Serbia të ekstradohen në Kosovë sa më parë. Gjithashtu, organizatat “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” tashmë ka prova e argumente mjaftueshme që të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere e aleate ashtu siç ne tashmë bëmë në mbledhjen e qeverisë para tre muajsh”, tha ai.

Të premten NATO-ja tha se ka se ka miratuar forca shtesë për Kosovën pas sulmit të 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës, por nuk dha më shumë hollësi për numrin e forcave.

Sulmi i së dielës nxiti shqetësime të reja të diplomatëve perëndimorë për qëndrueshmërinë e rajonit.

XS
SM
MD
LG