Lidhje

Film dokumentar për arratisjen e Aleksandër Grudës nga regjimi komunist në Shqipëri 


Pamje nga filmi Alexander
Pamje nga filmi Alexander

Mbi tre dekada më parë, Aleksandër Gruda vendosi të arratisej nga diktatura komuniste në Shqipëri, së bashku me një grup prej 15 vetash. Mekaniku i flotës detare në Shkodër u arratis duke rrëmbyer një anije luftarake. Por përpjekjet për liri erdhën me një kosto të lartë. Ai humbi vajzën e tij pesë vjeçare, që u vra nga zjarri i rojeve detare. 33 vite më vonë, historia tragjike rikthehet në vëmendjen e publikut shqiptar dhe atij të huaj. Aleksandër Gruda është protagonist në një film dokumentar të titulluar “Alexander”. Dokumentari nga Shqipëria do të paraqitet si konkurent për Çmimet “Oscars” për vitin 2024.

Film dokumentar për arratisjen e Aleksandër Grudës nga regjimi komunist në Shqipëri 
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:07 0:00


Në vitin 1990, pak para rënies së sistemit komunist në Shqipëri, jeta nën atë regjim ishte bërë e padurueshme për Aleksandër Grudën, një mekanik i flotës detare në Shkodër, që ishte pushuar nga puna me vendim të ministrisë së brendshme.

Pak muaj pas vërshimit të qytetarëve në ambasadat e huaja në Tiranë, ai mori vendimin që të arratisej së bashku me gruan, që në atë kohë ishte shtatzënë, vajzën 5 vjeçare dhe disa miq të tjerë.

Në shtator të vitit 1990 ai udhëhoqi arratisjen e një grupi prej rreth 15 vetash.

Zoti Gruda, asokohe 36 vjeçar, rrëmbeu një anije luftarake shqiptare dhe u nis në drejtim të Malit të Zi, atëhere pjesë e Jugosllavisë.

“Unë po diskutoja edhe me disa shokë. Unë dua ta bëj këtë që të sigurohem se nuk do të zgjatet më ky sistem. Pra ishin ambasadat… kushedi si do të shkojë… tash është anija, duke u vënë kapakun të gjithave. Isha njëqind për qind i sigurt që ka marrë fund, se gjithçka është në duart e popullit. Gjithçka është për një jetë tjetër”, thotë për Zërin e Amerikës i mbijetuari i komunizmit.

Arratisja nuk shkoi ashtu siç ishte planifikuar. Anija u diktua dhe ndaj saj u hap zjarr.

Për pasojë, vajza pesë vjeçare e Aleksandrit, Anisa Gruda, humbet jetën.

“Vjen një prej tyre dhe më thotë, Sandër të kanë vrarë vajzën. Kur më tha të kanë vrarë vajzën, në moment varet se si e kupton, si reagon. Thash duhet të jetë plagosur, nuk më tha që ka vdekur. Të kanë vrarë mund të nënkuptojë që është plagosur. Atëherë thashë sa më shpejt të dalim matanë. Predhat vazhdonin, nuk ndalonin”, vazhdon zoti Gruda rrëfimin e tij për Zërin e Amerikës.

Grupi arriti të arratisej. Pas disa muajsh qëndrimi në ish Jugosllavi, zoti Gruda u largua drejt Shteteve të Bashkuara ku jeton edhe sot me gruan dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Megjithëse kanë kaluar 33 vjet, kujtimet e asaj ngjarje tragjike janë ende të freskëta.

“Unë fotografinë e vajzës e kam këtu, e mbaj gjithmonë, e kam të paharrueshme. Më duket sikur e lashë këtë fëmijë, sikur ajo nuk donte të vinte, por e mora, e mora me zor, sikur donte të më thoshte nuk dua të vij, mos më vrit baba. Unë e mora atë për ta shpëtuar. Është pesë vjeç e gjysmë”, thotë zoti Gruda.

Kjo histori tragjike është kthyer në një film dokumentar të titulluar “Alxander”, protagonist i së cilit është vetë Aleksandër Gruda.

Regjisori Ardit Sadiku thotë se ky projekt u realizua midis Nju Jorkut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Australisë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Sadiku thotë se qëllimi i projektit është të ndajë me shikuesit heroizmin e përpjekjeve për liri të Alekeksandër Grudës, familjarëve e miqve të tij.

“Sepse Aleksandri, si shumë të tjerë, e mori atë hap të madh në një formë shumë heroike, sepse ai ka rrezikuar jetën e tij, familjes dhe të miqve të tij. Për mua objektivi kryesor nuk ka qenë të tregoj se sa i ashpër ishte komunizmi, sepse atë e dimë ne, e di e gjithë bota si ka qenë Shqipëria, por të tregoj se çfarë mund të bëjë një person që të arrijë lirinë”, thotë zoti Sadiku.

Realizimi i këtij filmi lehtëson dhimbjen e Aleksandrit, i cili vazhdon ta vuajë humbjen e vajzës nga dora e sistemit komunist.

“Duket që kam kalu një jetë dyfishe. Duket se jam ripërtri, se kam kenë nën stresin dhe presionin e kësaj vajze tan jetën. Bile, bile e kam dënu vedin, e kam dënue që të mos gëzoj këtu veç për hir të saj. Tash me kët film i ka la të gjitha”, thotë zoti Gruda me zë të dridhur, mes lotësh.

Filmi dokumentar “Alexander” është përzgjedhja zyrtare e Shqipërisë për Akademinë e Çmimeve “Oscars” në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar” për vitin 2024.

Regjisori Sadiku nuk dëshiron të komentojë mbi pritshmëritë e tij në garën më të njohur të filmit në botë, por jep një mesazh për të gjithë regjisorët e rinj.

“Të shpërvjelin mëngët dhe të bëjmë filma, të mos presim. E kamë vënë re këtë dëshirën që të presim, por duke pritur humbet dëshira për të realizuar një film, të bësh atë që do dhe të bësh ndonjë ndryshim, sepse duke mos bërë ndryshim ti përfundon duke bërë mbiejtesë. Nuk shtë zgjidhje që vetëm të mbijetojmë”, thotë zoti Gruda.

Ceremonia e shpalljes së fituesve të Çmimeve “Oscars” zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG