Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan dhe senatori Peter Welch bënë thirrje të shtunën në Podgoricë që qeveria e re të mos ketë përfaqësues që nuk mbështesin rrugën perëndimore të vendit.
Ata i bënë komentet pas takimit me presidentin malazez Jakov Milatoviç.
“Qytetarët e Malit të Zi kanë treguar se duan sundimin e ligjit, si dhe të jenë në Bashkimin Europian me të gjitha mundësitë ekonomike që sjell anëtarësimi”, tha senatori Welch për mediat malazeze.
Senatorja Shaheen tha se ka rezerva për çdo parti politike që nuk mbështet aspiratat e qytetarëve për të qëndruar në NATO, që nuk mbështesin Ukrainën, si dhe nuk kanë aspirata drejt anëtarësimit në BE.
“Të gjitha këto, me sa kuptoj unë, janë përpjekje të mbështetura nga rreth 80 për qind e popullsisë. Prandaj do të ishte e pakuptimtë të kishim përfaqësues në qeveri që nuk i mbështesin ato synime”, tha senatorja Shaheen.
Duke folur për situatën në Kosovë, senatori Welch tha se dhuna është përdorur si mjet politik për bindje.
“Drejtësia duhet të vendoset. Sidomos në Ballkan, nuk keni nevojë që ne t'ju kujtojmë se çfarë ndodhi më parë kur dhuna u përdor si një mjet për të pranuar këndvështrimin tuaj," tha senatori Welch.
Ai shtoi se përpjekjet duhen përqendruar rreth hapave të pajtimit.
Senatorja Shaheen tha se është e nevojshme të shqyrtohet se si të sigurohet stabiliteti afatgjatë në Kosovë.
“Misioni i KFOR-it atje është shumë i rëndësishëm për të ndihmuar në sigurimin e kufijve, por përgjigja e vërtetë është stabiliteti, pra që liderët e Serbisë dhe Kosovës të ulen në tavolinë për të gjetur një zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet e tyre”, tha zonja Shaheen.