Lidhje

Zgjedhjet në Poloni, koalicioni opozitar duket se ka marrë shumicën e votave


Udhëheqësi kryesor i opozitës në Poloni, Donald Tusk/AFP
Udhëheqësi kryesor i opozitës në Poloni, Donald Tusk/AFP

Shumica e votuesve në zgjedhjet e përgjithshme të Polonisë duket se kanë mbështetur partitë opozitare, të cilat premtuan riparimin e marrëdhënieve të Varshavës me vendet aleate, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Ukrainën, sipas parashikimeve dhe numërimit të pjesshëm të votave të hënën.

Pas një fushate të ashpër dhe emocionale, pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 74%, sipas përllogaritjeve, shkalla më e lartë gjatë 34 viteve demokraci, duke tejkaluar pjesëmarrjen prej 63% në votimin historik të vitit 1989 që shënoi rrëzimin e komunizmit.

“Pres që gratë të kenë më shumë të drejta, që ato të ndihen më të sigurta, të vlerësohen më shumë në shoqëri. Shpresoj gjithashtu që nepotizmi të marrë fund, për shembull në kompanitë shtetërore dhe të tjera”, thotë 43-vjeçarja Iga Frackiewicz.

Në qytetin Wroclaw, radhët e njerëzve ishin aq të gjata sa procesi i votimit vazhdoi gjatë gjithë natës, pothuajse deri në orën 3 të mëngjesit. Pjesëmarrja e të rinjve në votime ishte shumë e lartë.

Një anketë pas votimit nga agjencia e sondazheve Ipsos dhe rezultatet e pjesshme sugjerojnë se votuesit ishin të lodhur nga partia nacionaliste në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, pas tetë vitesh politikash përçarëse që shkaktuan protesta të shpeshta, çarje të thella brenda familjeve polake dhe bllokimin e fondeve disa miliarda dollarësh nga BE-ja për shkelje të ligjit nga Varshava.

Këto ishin ndër zgjedhjet më të rëndësishme të këtij viti në një vend të bllokut, ndërsa rezultatet janë pritur me ankth nga Brukseli, Berlini dhe kryeqytete të tjera. Analistët shpresonin tek fitorja e opozitës, duke i dhënë fund prirjes autoritare të qeverisë nacionaliste.

Një mandat tjetër për partinë “Ligj dhe Drejtësi” do të ishte parë në Bruksel si një ogur i keq, ndërsa BE-ja duhet të përballet me Hungarinë, ku erozioni i demokracisë po shtohet nën drejtimin e Kryeministrit Viktor Orbán. Ndërkohë, fitorja në Sllovaki e aleatit të majtë pro-rus Robert Fico ka ngritur shqetësime për bllokun.

Rezultati mund të ndikojë gjithashtu tek lidhjet me Ukrainën fqinje, të cilën Polonia e ka mbështetur në luftën kundër agresionit rus. Marrëdhëniet e mira u përkeqësuan në shtator për shkak të hyrjes së grurit ukrainas në Poloni dhe ndikimit në tregun vendas.

Sondazhi pas zgjedhjeve nga Ipsos tregon se tre parti opozitare të qendrës, që bënë fushatë me një premtim për të ndryshuar qasjen joliberale të qeverisë, kishin siguruar së bashku 249 vende në dhomën e ulët të parlamentit prej 460 anëtarësh, një shumicë e qartë.

Rezultatet e pjesshme zyrtare u publikuan të hënën nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Ndërsa njoftohet për numërimin e votave në dy të tretat e njësive zgjedhore, rezultatet e pjesshme tregojnë për një epërsi të qartë të partive opozitare.

Rezultatet paraprake tregojnë se partia konservatore në pushtet ka marrë më shumë vota se çdo parti, ndërsa është shprehur se do të përpiqet të vazhdojë ta qeverisë vendin.

Sipas një sondazhi të publikuar të hënën në mëngjes nga Ipsos, nacionalistët në pushtet kanë marrë 36.6% të votave, ndërsa Koalicioni Qytetar në opozitë, i udhëhequr nga Donald Tusk, renditet në vend të dytë me 31% të votave.

“Kam vite që merrem me politikë dhe sport. Por kurrë nuk kam qenë kaq i lumtur në jetën time me këtë vend të dytë. Polonia ka fituar. Demokracia ka fituar. Ne i hoqëm ata (PiS) nga pushteti”, tha të dielën mbrëma udhëheqësi i opozitës polake, Donald Tusk.

Në mënyrë që një qeveri të miratojë ligje, asaj i nevojiten të paktën 231 vende në dhomën e ulët të parlamentit me 460 anëtarë. Sipas agjencisë së sondazheve Ipsos, partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi e Jaroslaw Kaczynski-it duket se ka marrë 198 vende, një rënie e mprehtë nga shumica e vogël aktuale që ka mbajtur gjatë tetë viteve të fundit.

“Kemi ditë të vështira përpara nesh, ditë tensionesh të llojeve të ndryshme. Por kjo finale do të tregojë formën e vazhdimësisë së programit tonë, gjithçka kemi bërë për Poloninë”, tha udhëheqësi i partisë Ligj dhe Drejtësi, Jaroslaw Kaczynski.

Edhe me partinë e ekstremit të djathtë, Konfederatën, partia në pushtet nuk do të kishte shumicën. Megjithatë, menaxheri i fushatës së partisë Ligj dhe Drejtësi tha të hënën në mëngjes në një intervistë në radio se partia e tij fitoi dhe do të përpiqet të ndërtojë një qeveri të udhëhequr nga kryeministri aktual Mateusz Morawiecki.

Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se rezultati zyrtar do të njoftohet të martën.

Presidenti Andrzej Duda, një aleat i partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi, duhet të thërrasë seancën e parë të parlamentit të ri brenda 30 ditësh dhe të caktojë një kandidat për kryeministër që të përpiqet të formojë qeverinë. Ndërkohë, qeveria aktuale do të ketë një rol kujdestar.

XS
SM
MD
LG