Lidhje

Kosovë, presidentja nuk e dekreton Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit


Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të martën se nuk e ka miratuar zgjedhjen e Blerim Isufajt për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, për shkak të siç tha disa shkeljeve ligjore ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës theksoi se arsyetimet e presidentes janë të pabazuara dhe tendencioze.

Blerim Isufaj ishte përzgjedhur kandidat për të udhëhequr Kryeprokurorinë e Shtetit nga Këshilli Prokurial i Kosovës dhe ishte në pritje të miratimit që nga muaji prilli vitit 2022.

Procedurat e ndjekura për zgjedhjen e kandidatit për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës ishin kritikuar edhe nga diplomatët perëndimorë dhe organizatat që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë.

Presidentja Osmani tha se për vendimin e saj ka marrë parasysh edhe vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo numëroi disa nga siç tha shkeljet e konstatuara për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror.

“Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda Këshillit Prokurial të Kosovës për kandidatët e pakënaqur, shkelja në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve, shkelje në procedura të vlerësimit të integritetit të kandidatëve, cenimi i transparencës, barazisë, meritokracisë dhe mungesat në dokumentacion”, tha presidentja Osmani.

Por, Këshilli Prokurorial i Kosovës nëpërmjet një komunikate tha se arsyet e presidentes për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit janë të paqëndrueshme dhe në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese.

Sipas këtij këshilli, presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë dhe as refuzojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial.

“E vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokurorial.

Presidentja Osmani tha sot gjatë konferencës për gazetarë se gjatë shqyrtimit të procedurave për zgjedhjen e Kryeprokurorit është përballur me trysni të ndryshme.

“Ka pasur edhe presione tjera të paligjshme, njerëz që dërgonin mesazhe se nëse nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do bëjmë dosje, do ngrisim aktakuza”, tha presidentja Osmani.

Këshilli Prokurorial i Kosovës i bëri thirrje presidentes Osmani që provat dhe dëshmitë për trysni dhe kërcënime t’i dërgojë tek organet përgjegjëse.

Në pranverën e këtij viti kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një seance të parlamentit pati akuzuar kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, si kundërshtues i politikave të pushtetit të ri.

“Përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden, nuk do të munden jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”, tha kryeministri Kurti në seancën e 20 prillit pas arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, nën dyshimet për veprat penale që lidhen me korrupsion.

Kryeprokurori i ri i Shtetit sipas procedurave duhet të dekretohet nga presidentja e vendit.

Kryeprokurori i Shtetit ka një mandat shtatë vjeçar dhe llogaritet si një nga postet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG