Lidhje

Konfliktet në Gazë dhe Ukrainë në qendër të takimit SHBA-BE


Lufta mes Izraelit dhe Hamasit dhe vazhdimësia e mbështetjes për Ukrainën mbizotëruan në takimin e nivelit të lartë mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden me Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel. Këto konflikte kanë lënë në hije përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Brukselit për tarifat e vendosura gjatë mandatit të Presidentit Trump mbi produktet e çelikut dhe aluminit evropian dhe subvencionet amerikane për industrinë e gjelbër.

Konfliktet në Gazë dhe Ukrainë në qendër të takimit SHBA-BE
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00


Lufta tashmë dy javore mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës dhe agresioni rus në Ukrainë ishin në qendër të takimit SHBA-BE në Uashington.

“Ne së bashku kemi mbështetur popullim e guximshëm të Ukrainës përballë agresionit të Putinit. Jemi përballur së bashku me sfidat ekonomike dhe vendosjen e standardeve për marrëdhëniet tona me Kinën. Dhe ne jemi të bashkuar tani në përpjekjet për të mbështetur Izraelin pas sulmit të rëndë terrorist të Hamasit”, tha Presidenti Biden.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi se lufta në Rripin e Gazës nuk duhet të largojë vëmendjen e perëndimit nga mbështetja e fortë për Ukrainën.

“Putini në fund do të dështojë. Ai po e dëmton rëndë Rusinë. Këto konflikte nxjerrin në pah nevojën që demokracitë të jenë të bashkuara”, tha ajo.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dënoi sulmin e Hamasit në Izrael.

“Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet dhe duhet ta bëjë këtë në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe humanitare”, tha ai.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë të pazgjidhura. Dy palët nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje për heqjen e tarifave ndaj importeve Evropiane të aluminit dhe çelikut, të vendosura gjatë mandatit të ish-Presidentit Trump. Ato u pezulluan nga Presidentit Biden në vitin 2021 me kushtin që Bashkimi Evropian të vendoste më parë tarifa të ngjashme ndaj Pekinit.

Një tjetër çështje e pazgjidhur është ajo e subvencioneve për energjinë e ripërtëritshme, që janë pjesë e ligjit të Presidentit Biden për klimën, i cili ofron lehtësimit e tarifave për konsumatorët që blejnë makina elektrike në Amerikën e Veriut. Bashkimi Evropian dëshiron që edhe makinat elektrike, që funksionojnë me bateri të prodhuara me minerale nga Evropa të kualifikohen për përfitime nga ligji amerikan për klimën.

“Këto janë çështje të debatueshme, por në vend të masave nga Bashkimi Evropian, do të ishte më mirë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të arrijnë një marrëveshje për bërë një përjashtim të pjesshëm për industrinë evropiane nga këto masa”, thotë Ian Lesser nga Fondi Gjerman Marshall.

Partnerët transatlantikë gjithashtu synojnë kufizimin e fuqisë në rritje të Kinës, përmirësimin e lidhjeve me vendet në zhvillim dhe monitorimin e programeve të armëve të Koresë së Veriut dhe Iranit.

XS
SM
MD
LG