Lidhje

Reportazh nga Ramallahu, palestinezët e bllokuar jashtë Gazës


Kur filloi lufta e Hamasit kundër Izraelit, më shumë se një javë më parë, hyrja e vetme në Gaza u shkatërrua duke bllokuar kthimin në shtëpitë e tyre të palestinezëve që punojnë në Izrael. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock njofton nga Ramallahu i Bregut Perëndimor të pushtuar se mijëra burra palestinezë janë bllokuar jashtë Gazës, ndërsa prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat, gratë dhe fëmijët e tyre përpiqen t’u mbijetojnë bombardimeve në Gaza.

Reportazh nga Ramallahu, palestinezët e bllokuar jashtë Gazës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Në këtë ndërtesë komunale në Ramallah, një qytet në Bregun Perëndimor të pushtuar, qindra burra i kalojnë ditët të dëshpëruar, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit po shkakton shumë viktima mes popullsisë civile në Gaza.

Shumë prej tyre thonë se janë të gatshëm të rrezikojnë jetën për të shkuar pranë familjeve të tyre, sesa të dëgjojnë në telefon dhe mesazhe për vuajtjet që po përjetojnë familjet e tyre. Ata thonë se nuk duan të identifikohen në kamera për arsye sigurie. Saleh Hassan thotë se gruaja dhe tre vajzat e tij janë të bllokuara në Gazë.

“Ne ishim njerëz të thjeshtë që jetonim jetët tona. Nuk kemi asnjë lidhje me atë që po ndodh. Thjeshtë, po përpiqemi të ndërtojmë jetët dhe familjet tona. Vajza ime është në vitin e dytë të universitetit dhe po mësonte anglisht. Ajo donte të diplomohej. Por tani ëndrrat tona janë shkatërruar. Gjithçka është shkatërruar.”

Gaza është strehë e dy milionë banorëve dhe i vetmi vendkalim kufitar që ishte i hapur para luftës u shkatërrua në ditën e parë të luftimeve, kur Hamasi kreu një sulm të befasishëm masiv.

Izraeli reagoi me një fushatë bombardimesh pothuajse të vazhdueshme në Gaza.

Banorëve u është thënë që të evakuohen nga disa zona të Gazës, e cila është afërsisht 40 kilometra e gjatë dhe 10 kilometra e gjerë, por nuk kanë asnjë mënyrë për të shpëtuar.

Hasani thotë se familja e tij nuk do të largohet edhe sikur të ishte e mundur.

“Ata thonë se do të qëndrojnë në shtëpi derisa të na bombardojnë”.

Punonjësit e ndihmave po i strehojnë dhe ushqejnë këta burra, të cilët janë në mesin e mijëra punonjësve nga Gaza që Izraeli u hoqi të drejtën e punës pas fillimit të luftës. Zëri i Amerikës bisedoi me vullnetaren Israa Ghannam që ndihmon në sigurimin e ushqimit dhe mbështetjes për palestinezët e bllokuar.

“Mbrëmë këtu ishin 800 burra. Ne po u japim ushqime dhe po përpiqemi t'i qetësojmë sepse janë të shkatërruar nga lajmet për familjet e tyre në Gaza”.

Por rezervat ushqimore po mbarojnë, thotë ajo, the mbështetja është e kufizuar.

Izraeli është zotuar se do ta mposhtë Hamasin në këtë luftë dhe Hamasi ka deklaruar se ka një plan për ta mbrojtur veten. Shumë nga këta burra besojnë se nuk do t’i shohim më kurrë familjet e tyre ndërsa kanë humbur shpresat se situata do të ketë një përfundim të mirë.

XS
SM
MD
LG