Lidhje

SHBA, avioni devijon drejtim pas një përpjekjeje për çaktivizimin e motorëve


Një avion i linjës 'Alaska Airlines', i cili po udhëtonte drejt San Franciskos, u detyrua të ndërrojë drejtim duke u ulur në Portland të Oregonit, pas një tentative për çaktivizimin e motorëve të tij. Incidenti u shkaktua nga një pilot, i cili kishte mbaruar detyrën dhe ndodhej në një nga sediljet, në kabinën e pilotit.

Sipas njoftimeve zyrtare, ditën e dielë, piloti i fluturimit 2059 i ‘Alaska Airlines’ që operohet nga ‘Horizon Air’, kërkoi devijimin e avionit, duke njoftuar mbi një situatë që kërcënonte sigurinë e avionit.

Agjencia ‘Reuters’ duke iu referuar një njoftimi të Administratës Federale të Aviacionit, bëri të ditur se individi, kërkoi të çaktivizonte motorët, duke aktivizuar sistemin e shuarjes së zjarrit.

Në njoftim thuhej se ekuipazhi i avionit ia doli ta bllokojë atë e ta mbante sa më larg kabinës së pilotit. Sipas autoriteteve të linjës ajrore 'Alaska Airlines', motorët nuk u çaktivizuan në asnjë moment.

Dyzet e katërvjeçari Joseph David Emerson, përballet me 83 akuza për tentativë për vrasje dhe rrezikim të një aeroplani.

Sipas të dhënave Joseph David Emerson është një pilot i çertifikuar i cili një muaj më parë kishte kryer të gjitha testet mjekësore për vazhdimin normal të punës.

Administrata Federale e Aviacionit bëri të ditur në një njoftim të veçantë të hënën se incidenti "nuk ishte i lidhur në asnjë mënyrë apo formë me ngjarjet aktuale botërore", por shtoi se "në të gjitha raste duhet ruajtur vigjilenca".

Si praktikë standarde, pilotët që kanë mbaruar detyrën ulen në një prej sediljeve të kabinës së avionit, për t'u kthyer në shtëpi ose për t’u dërguar për një fluturim të radhës.

“Alaska Airlines” njoftoi se të gjithë pasagjerët që ndodheshin në bordin e avionit në momentin e incidentit, kishin arritur të merrnin një tjetër avion më vonë.

XS
SM
MD
LG