Lidhje

“Ringjallja” nëpërmjet inteligjencës artificiale


Inteligjenca artificiale po u jep njerëzve mënyra të reja për të kujtuar të dashurit e tyre që kanë vdekur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Moskalkov, njofton se si po punohet për të krijuar kopjen virtuale të një personi të vdekur me të dhënat e mbledhura nga mediat sociale.

“Ringjallja” nëpërmjet inteligjencës artificiale
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Disa kompani të reja teknologjike po përdorin inteligjencën artificiale për t’u mundësuar njerëzve ndjesinë se kanë ende pranë një person të dashur që ka vdekur. E ashtuquajtura “inteligjenca artificiale e ringjalljes” mbështetet tek krijimi i programeve automatike të komunikimit (chat bots), ose të një kopjeje virtuale, të bazuar tek të dhënat në mediat sociale të personit të vdekur – imazhet, zëri, mesazhet e dërguara me telefon apo me postën elektronike.

Michael Jung punon me kompaninë “DeepBrain AI” që krijon këto dublikate virtuale.

“Le të themi se duam të krijojmë një kopje tënden. Atëherë shkojmë në studio, të filmojmë, lexon 300-500 fjali përpara kameras. Kështu që kemi tashmë këtë burim pamjesh origjinale. Dhe pastaj punojmë për një muaj që programi të përgatitet. Pas një muaji përvetësimi të materialit nga programi, krijojmë shëmbëlltyrën tuaj”, thotë zoti Jung.

Stephen Smith ka themeluar kompaninë teknologjike “StoryFile”. Në pamje nuk është realisht zoti Smith, por shëmbëlltyra e tij.

“Mendojeni si një album fotografish të gjalla. Ajo që po bëjmë është të përdorim inteligjencën artificiale për të mbështetur personin, që si një paraardhës, na kalon kujtimet e tij; siç mund të ishte bërë në forma të tjera”, thotë zoti Smith.

Ringjallja dixhitale është një koncept i komplikuar, thotë Irina Raicu, nga Programi për Etikën në Internet, të Universitetit Santa Clara.

“Në një mënyrë, ndjesia se mund të mbajmë të gjallë versionin teknologjik të njerëzve tanë të dashur, i përafrohet disi balsamosjes. Në vend që të balsamosim trupin e dikujt për t’u përpjekur që t’i mbajmë me ne, po përpiqemi të balsamosim mendjen e personit”, thotë ajo.

Ashtu si shumë teknologji të tjera të reja, inteligjenca artificiale për “ringjalljen” ka krijuar pikëpyetje të reja, ndërsa vazhdon të eksplorohet potenciali i saj i madh.

XS
SM
MD
LG