Lidhje

Analiza, roli kompleks i Katarit si qenësor për politikën e jashtme amerikane


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në këtë fotografi nga arkiva ndërsa bisedon me zyrtarët e Katarit/AP
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në këtë fotografi nga arkiva ndërsa bisedon me zyrtarët e Katarit/AP

Kryeministri i Katarit Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani njoftoi këtë javë se negociatat për lirimin e personave të marrë peng nga Hamasi po shënonin përparim. Trysnia ndërkombëtare po rritet ndaj këtij shteti të Gjirit Persik, për të ndihmuar në lirimin e tyre, në kushtet kur mbi 200 persona vazhdojnë ende të mbahen peng apo të rezultojnë të pagjetur, e ndërsa Rripi i Gazës po përballet me mungesa të mëdha në ushqime, ujë dhe energji elektrike.

Marrëdhëniet e Katarit me Hamasin dhe deklaratat e këtij shteti me 7 tetor që e bëri Izraelin plotësisht përgjegjës për përshkallëzimin e dhunës, kanë nxitur pakënaqësi publike në Shtetet e Bashkuara, por analistët e konsiderojnë Katarin si një lojtar të rëndësishëm në përpjekjet për të ndërmjetësuar konfliktin.

Udhëheqësit e Katarit luajtën rol qenësor në lirimin e pengjeve izraelite. Zyrtarët e Katarit ndihmuan në ndërmjetësimin e marrëveshjesh për lirimin e dy grave izraelite që mbaheshin peng nga Hamasi të hënën – vetëm disa ditë pasi kishte negociuar për lirimin e një nëne dhe vajzës së saj, të dyja shtetase amerikane.

Katari ka marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara. Në mbretërinë e pasur me karburante, ndodhet një bazë e madhe ushtarake amerikane, një prej më të mëdhajave në rajon, vendndodhja e së cilës është në bazën ajrore Al Udeid. Baza ushtarake u ndërtua nga Katari në vitin 1996, një vendim që u përshëndet nga zyrtarët amerikane në vitin 2002, gjatë vizitës së ish-nënpresidenti amerikan Dick Cheney.

Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Katarin datojnë prej vitit 1972 dhe janë të përqendruara në parimet e sigurisë rajonale, energjisë dhe edukimit. Katari bashkëpunon me ushtrinë amerikane në fushën e kundër-terrorizmit dhe kundërpërgjigjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm, me operacione që shtrihen deri tek Briri i Afrikës.

Pasi grupi Taleban mori pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, roli i Katarit për të koordinuar largimin e sigurt të dhjetëra mijëra njerëzve nga ky vend– përfshirë kontraktorët dhe shtetasit amerikanë – u konsiderua mjaft i vyer nga qeveria amerikane.

Afro 40 për qind e të gjithë të evakuuarve u larguan përmes Katarit. Katari po ashtu luajti rol të rëndësishëm si mikpritës i takimeve ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe pjesëtarëve të grupit Taleban në kryeqytetin e vendit në Doha, takime që u udhëhoqën nga i dërguari i posaçëm amerikan Zalmay Khalilzad. Ndonëse bisedimet dështuan, ato dëshmuan se sa shumë Shtetet e Bashkuara mbështeten tek Katari, si një ndërmjetës i rëndësishëm.

Për shkak të këtyre përpjekjeve dhe jo vetëm, Presidenti amerikan Joe Biden e shpalli Katarin si aleat të rëndësishëm jashtë aleancës së NATO-s në mars të vitit 2022.

“Po e marr këtë vendim si mirënjohje për kontributet e Katarit ndër vite në përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në këtë zonë të përgjegjësisë së Komandës Qendrore amerikane dhe si shprehje të interesit tonë kombëtar për të thelluar mbrojtjen dypalëshe dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë me shtetin e Katarit”, shkruante Presidenti Biden në një letër drejtuar Kongresit.

Së fundi, Katari ka ndërmjetësuar lirimin e pesë të burgosurve amerikanë që mbaheshin nga Irani, si dhe në lirimin e fëmijëve ukrainas që mbaheshin nga Rusia.

Një rol i formësuar

Katari e ka formësuar rolin e tij si ndërmjetësues i qëndrueshëm, prej vitesh.

Në vitin 2008, kur Hezbollahu mori nën kontroll pika të rëndësishme infrastrukture në Liban, përfshirë aeroportin dhe porte të rëndësishme, ishte Katari ai që solli në tryezën e bisedimeve grupin militant shiit dhe rivalët e tij që mbështeten nga Perëndimi. Bisedimet u përmbyllën me Marrëveshjen e Dohës, e cila parandaloi përshkallëzimin e krizës dhe rrezikun e zhytjes së Libanit në një luftë të re civile.

Marrëdhëniet e Katarit me armiqtë tradicionalë të Shteteve të Bashkuara si Irani dhe Rusia – apo grupet militante sikur Hamasi dhe Talebanët – e kanë shndërruar atë në partner të çmueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore.

“Katari është partner shumë i afërt i Shteteve të Bashkuara në një mori çështjesh që janë qenësore për dyja vendet tona dhe për këtë rajon – nga puna e përbashkët për të evakuuar amerikanët, afganët e shtetas të vendeve të tjera nga Afganistani, tek bashkëpunimi i afërt për t’iu kundërpërgjigjur urgjencave humanitare, sikurse në rastin e tërmetit në Turqi dhe në Siri”, u tha gazetarëve Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, në një konferencë shtypi në Doha më 13 tetor.

Analistët thonë se aftësia e Katarit për të mbajtur marrëdhënie të mira me aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë si Rusia dhe Irani, ndërkohë që ende vazhdon të jetë partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojë të rrisë rëndësinë e këtij vendi në skenën botërore.

“Katari po e përcakton këtë arritje – dhe rrjedhimisht lëvdatat nga Shtetet e Bashkuara – si dëshmi se strategjia që po ndjek për të mbajtur hapur linjat e komunikimit me shumë aktorë që janë rivalë me njëri-tjetrin është e qëlluar. Roli i tij në konfliktin aktual po i jep shtytje ambicieve të tij gjeopolitike,” shkruante drejtorja e Institutit për Lindjen e Mesme pranë Universitetit të Londrës Lina Khatib në një artikull këtë javë në “Barron’s”.

Të tjerë thonë se lidhjet me grupe si Hamasi, janë arsye për një proces këqyrjeje më të detajuar ndaj Katarit, eksportuesi i tretë më i madh i gazit natyror në botë me një popullsi prej vetëm 300,000 banorëve.

“Është thikë me dy presa. Katari duhet të japë mesazhin e duhur, sepse ndonëse amerikanët po shprehin mirënjohje e vlerësim ndaj këtij vendi, imazhi i tij po goditet”, thotë profesori i Universitetin ‘Georgetown’ në Katar, Mehran Kamrava, në një intervistë për gazetën “Financial Times”.

XS
SM
MD
LG