Gjykata e Vlorës vendosi pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për dy punonjës të Drejtorisë së Policisë së Vlorës të cilët dyshohet se nuk kryen veprime të plota hetimore për rastin e përdhunimit të një 26 vjeçareje.
Agjencia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria e Vlorës kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në pezullimin e 2 punonjësve, nënkomisar Ervis Cipa dhe Ornela Hajrulla.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla reagoi në rrjetet sociale për pezullimin e dy policëve duke u shprehur se “rasti i dhunës seksuale dhe i nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë ishte një ngjarje e rëndë, për të cilën drejtësia duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të mbarë opinionit publik”.
“Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit”, shprehet Balla.
Sipas Ministrit Balla “rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetit që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”
Gjykata e Vlorës ka vendosur masën “arrest me burg” për Albi Cenon dhe Oltjon Tahirin, nën dyshimet për mbajtjen me forcë dhe përdhunimin e një vajze 26-vjeçare, në një hotel në qytetin e Vlorës ndërsa me të njëjtat akuza pritet të përballet Gentjano Mehmeti, i cili vazhdon të jetë në arrati, ndërsa një person tjetër, me inicialet V.K po kërkohet nga policia si i dyshuar i përfshirë në ngjarje.
Policia e Vlorë kishte kryer arrestimin në flagrancë të dy të rinjve më 21 tetor nën dyshimet se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë nxitur një 26-vjeçare, që të përdorë lëndë narkotike dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me të.
Policia në njoftimin e parë kishte pohuar se një 32 vjeçar, Gentiano Mehmeti, ishte shpallur në kërkim lidhur me këtë ngjarje por në një njoftim të dytë polica e Vlorës tha se “referoi materialet në Prokurori, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”, edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë, duke vijuar punën për kapjen e tij”.
Sipas policisë “ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me tre të rinjtë e tjerë për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike”.
Dy ditë më parë në Vlorë u mbajt me nismën e Qendrës Psiko Sociale “Vatra” edhe një protestë nga organizata të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë për të kërkuar drejtësi për vajzën e përdhunuar me sloganet “ “Mbrojmë Viktimën” , “Dënim maskimal përdhunuesve”.
Protestuesit, kryesisht gra dhe vajza, marshuan nga Prokuroria e Vlorës përgjatë shëtitores në rrethrrotullimin e Skelës me thirrjet: “Drejtësia duhet të triumfojë”, “Stop dhunës me bazë gjinore”, etj.
Ndërkohë në këshillin e bashkisë së Vlorës nga disa gra këshilltare u kërkua qëndrim përmes nënshkrimit të një rezolute kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Sipas raportit të Instituti shqiptar të statistikave “Burra dhe Gra, 2023”, gjatë vitit 2022 ka një rritje të raportimeve të dhunës seksuale në Shqipëri.
Sipas të dhënave 117 gra dhe vajza kanë raportuar raste të dhunës, ku janë denoncuar 178 dhunues të krimeve seksuale.
Pezullohen policët lidhur me mangësitë në hetimin e përdhunimit të një vajze në Vlorë
- Raimond Kola