Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve përjashton ligjvënësin George Santos


Ligjvënësi George Santos largohet nga Kapitoli pas u përjashtua nga Dhoma e Përfaqësuesve, 1 dhjetor 2023, Uashington.
Ligjvënësi George Santos largohet nga Kapitoli pas u përjashtua nga Dhoma e Përfaqësuesve, 1 dhjetor 2023, Uashington.

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve votuan për të përjashtuar kolegun e tyre George Santos, i cili është vënë nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve të fushatës.

Ligjvënësit mbështetën përjashtimin e menjëhershëm të tij me 311 vota pro dhe 114 kundër, duke i dhënë fund karrierës së shkurtër të republikanit nga Nju Jorku në Dhomën e Përfaqësuesve.

Përballë problemeve për shkak të zbulimit të gënjeshtrave mbi të shkuarën e tij dhe padisë penale federale, 35 vjeçari Santos, bëhet ligjvënësi i gjashtë që përjashtohet nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ai është i pari që përjashtohet përpara shpalljes fajtor me një vendim gjykate.

Ndërsa dilte nga Kapitoli, i rrethuar nga gazetarët, zoti Santos tha “ E dini si është puna? Tani që nuk jam më anëtar i Kongresit, nuk kam pse t‘i përgjigjem pyetjeve tuaja”.

“Në djall ky vend”, tha ai, sipas njoftimeve të shumë mediave.

Ligjvënësi Santos përballet me 23 akuza, përfshirë ato për vjedhje të identitetit të donatorëve të fushatës së tij dhe më pas përdorimin e kartave të tyre të kreditit për shpenzime të paautorizuara me vlerë prej dhjetëra mijëra dollarësh.

Zoti Santos ka deklaruar se është i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjyqi ndaj tij është parashikuar të fillojë në 9 shtator të 2024.

Pak para votimit, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson tha se do të votonte kundër përjashtimit, siç njoftoi një ndihmës i tij.

Disa ligjvënës kishin shprehur shqetësimin se largimi i zotit Santos mund të krijonte precedent që ligjvënësit të abuzojnë me të drejtën e tyre për përjashtim.

Përjashtimi i tij gjithashtu redukton shumicën e ngushtë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuseve, 221-213.

XS
SM
MD
LG