Lidhje

SHBA shpall si person non grata ish-zëvendës kryeminstrin maqedonas, Koço Angjushev


Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar Koço Angjushevin, ish -zëvendës kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe familjen e tij, si persona të padëshirueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm.

Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, thuhet se gjatë kohës që ishte zëvendës kryeministër, zoti Angjushev shpërdoroi postin e tij zyrtar për interesa të përfitimit të biznesit të tij privat, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike.

“Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë që zyrtarët publikë të korruptuar të vihen para përgjegjësisë. Ky përcaktim rikonfirmon përkushtimin e SHBA-ve për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, frenon mirëqenien ekonomike të vendeve dhe dëmton aftësinë e qeverive për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të qytetarëve të tyre”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Departamenti i ka ndaluar gjithashtu hyrjen në SHBA edhe gruas së zotit Angjushev, Elizabeta dhe fëmijët, Angel dhe Ognen.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler reagoi në rrjetet sociale duke theksuar se përcaktimi i sotëm i zotit Angjushev “është një dëshmi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të sanksionojnë aktorët e korruptuar në këtë vend dhe në të gjithë rajonin, pavarësisht nga pozita, përkatësia politike apo koha se kur është shpërdoruar detyra”.

Ajo paralajmëron se do të ketë përcaktime të tjera, ndërsa shton se sanksionet amerikane nuk mund të shërojnë epideminë e korrupsionit të Maqedonisë së Veriut.

“Varet nga autoritetet dhe qytetarët e këtij shteti që të kërkojnë përgjegjësinë dhe ndryshimin”, thekson Ambasadorja amerikane.

Zoti Angjushev njihet edhe si biznesmen. Kompania e tij “Brako” ndërtoi një numër spitalesh provizore gjatë pandemisë së Koronavirusit përmes një tenderi jotransparent.

Një nga ato spitale, ai i Tetovës u përfshi nga zjarri në shtator të vitit 2021 nga i cili gjetën vdekjen 14 pacientë dhe familjarë të tyre.

Ai është themelues edhe i një kompane që është marrë me tregëtinë e energjisë elektrike.

Revista amerikane Forbes në vitin 2014 e shpalli zotin Angjushev si njërin prej pesë maqedonasve më të pasur. Ai është profesor në universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” të Shkupit.

Përcaktimi i ish-Zëvendëskryeministrit Angjushev, pason vendimin e para disa muajve të Departamentit amerikan të Thesarit për përcaktimin e një biznesmeni tjetër të njohur nga Shkupi, Jordan (Orce) Kamçev për korrupsion.

Në qershor të këtij viti, DASH-i shpalli si person të padëshiruar edhe kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko.

XS
SM
MD
LG