Lidhje

Gazetari i VOA-s reflekton për ish-Zonjën e Parë, Rosalynn Carter


Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh ka raportuar për jetën dhe trashëgiminë e ish-Presidentit Jimmy Carter dhe bashkëshortes së tij Rosalynn Carter për gati 20 vjet. Pasi mori pjesë në funeralin e ish-zonjës së parë, gazetari Farabaugh përgatiti materialin në vazhdim si një reflektim personal për ish-Zonjën e Parë, Rosalynn Carter, e mbiquajtura “manjola e hekurt”, e cila ndihmoi në ripërkufizimin e rolit të zonjës së parë brenda dhe jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Gazetari i VOA-s reflekton për ish-Zonjën e Parë, Rosalynn Carter
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:04 0:00



Pas buzëqeshjes së ngrohtë dhe dialektit jugor të Rosalynn Carter-it qëndronin vendosmëria dhe shpirti i konkurrencës që ndihmuan bashkëshortin e saj Jimmy Carter të fitonte Shtëpinë e Bardhë në vitin 1976.


Ish-drejtori i komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, Jerry Rafshoon, kujton reagimin fillestar të Jimmy Carter-it pasi mësoi rezultatet e anketimeve në ditët e fundit përpara zgjedhjeve të vitit 1980, që parashikuan se do të humbiste përballë Ronald Reagan-it.


“Ai tha vetëm një gjë... mos i thoni Rosalynn-ës. Dua t’ia them vetë. Dhe kaq ishte”, thotë zoti Rafshoon.

Me sa duket, ajo u mërzit më shumë se ai.

“M’u desh kohë që ta kaloja. Sepse mendoja, dhe ende mendoj, se nëse ai do të ishte rizgjedhur, gjërat do të ishin ndryshe sot në vend”, tha zonja Carter.

Në një intervistë në vitin 2104, dallova forcën e saj të hekurt.


“Shpesh e përshkruajnë si ‘ish-presidenti më i shkëlqyer’, i thashë gjatë intervistës.


“Po, dhe kjo nuk më pëlqen. Ai ishte një president i shkëlqyer. Njerëzit po e kuptojnë tashmë”, tha ajo.


Por gjatë një vizite personale në qytetin e saj Plains, në vitin 2017, dallova edhe “manjolën”, ndërsa Rosalynn Carter, në moshën 90-vjeçare, kaloi një pasdite me diell për të më mësuar se si të peshkoja në liqenin e vogël përpara shtëpisë së saj.


Nuk kisha përdorur kurrë një kallam peshkimi, por ish-zonja e parë, që e mësoi për vete në moshë të madhe, më dha me durim udhëzime për çdo lëvizje.


Një shprehje e vjetër thotë se: “Nëse i jep dikujt një peshk, e ushqen për një ditë. Nëse i mëson si të peshkojë, e ushqen për një jetë të tërë”. Këtë parim Rosalynn Carter e ushtroi gjatë gjithë jetës së saj.


“Ajo u rrit si pjesë e rrymës metodiste dhe ndoqi së bashku me bashkëshortin e saj shërbesat në kishat baptiste në Plains. Motoja metodiste ‘Bëj sa më shumë të mundesh, për sa më shumë persona të mundesh dhe për sa më gjatë’, është diçka që e ushtruan gjatë jetës së tyre”, thotë Jonathan Alter, autor librash.


Ndërsa luftonte kundër stigmës për sëmundjet mendore, për eliminimin e sëmundjeve tropikale, apo kur monitoronte zgjedhjet në vende të tjera, “manjola e hekurt” nuk i ndali kurrë përpjekjet për ta bërë botën më të mirë, madje edhe në të 90-tat.


“Është ngazëllyese të shohësh se diçka që ke bërë, ndihmon njerëzit e tjerë. Nuk dëshiron të ndalesh”, tha ajo.


Rosalynn Carter i bënte gjithashtu njerëzit të ndiheshin gjithnjë të mirëpritur, duke i ftuar miqtë për kafe të dielave pasdite në Plains, apo duke bërë fotografi çdo javë të dielave me mijëra vizitorët e kishës së saj, ndër ta edhe me familjen time.


Ajo gjithnjë gjente kohën për të qëndruar me ne, në veçanti me tre djemtë e mi, gjatë vizitave në Plains. Megjithëse unë shqetësohesha se mos rëndonim programin e saj të ngjeshur, ajo nuk na bëri kurrë të ndjeheshim të tepërt. Nuk e ndalte kurrë buzëqeshjen dhe nuk tregonte ndonjëherë shenja lodhjeje.


“Nuk mund të ndalem dhe as nuk ndjehem e moshuar”, thoshte ajo.


“Për gjyshen time nuk ka nevojë për nekrologji. Jeta e saj ishte një shërbesë”, tha Jason Carter, kryetar i Qendrës Carter.


Të qëndroje ulur me njerëzit e shumtë të mbledhur në kishën Glenn Memorial Chapel, në Universitetin Emory, për të treguar respektin për Rosalynn Carter-in, ishte një përvojë njëkohësisht e hidhur, por edhe e ëmbël, ndërsa mbanim lotët mes të qeshurave për kujtimet për zgjuarsinë dhe vendosmërinë e saj, ndërsa nipi i saj Jason Carter vuri në dukje kauzat e saj të shumta dhe arritjet, përfshirë përpjekjet për të shpëtuar specien e rrallë të fluturës monark.


“Shtigjet për fluturat e Rosalynn Carter-it gjenden në 3 mijë kopshte, që nga Meksika dhe deri në Kanada, për t’i ndihmuar fluturat monark në udhëtimet e tyre”, tha zoti Carter.


Një nga këto shtigje gjendet sot përgjatë rrugëve të qytetit Plains, në Xhorxhia. Mes luleve mungojnë dukshëm manjolat, ato të vërtetat apo prej çeliku.



Ndërsa makina e funeralit mbarti arkivolin e saj përgjatë rrugëve të qytetit që ajo e konsideroi shtëpinë e saj për gati një shekull, ndërgjegjësimit se qyteti Plains humbi një ikonë dhe se bota humbi një aktiviste për kauza të shumta të rëndësishme, i shtohet hidhërimi që familja ime dhe unë ndjejmë nga humbja e një mikeje.


Por jeta dhe trashëgimia e Rosalynn Carter-it jeton në një botë më të shëndetshme, për përmirësimin e së cilës ajo dedikoi jetën e saj. Ajo jeton edhe në kujtimet e dashura të kohës që kaloi me mua dhe familjen time, në veçanti atë pasdite në liqenin e vogël përpara shtëpisë së saj, kur ajo ndau me mua kënaqësinë e peshkimit në vendin që dashuronte... dhe pranë të cilit ajo prehet në paqe.

XS
SM
MD
LG