Lidhje

Prokuroria kërkon autorizimin e parlamentit për arrestimin e Berishës


Ish kryeministri Sali Berisha
Ish kryeministri Sali Berisha

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, iu drejtua sot parlamentit për të marrë autorizimin e tij për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha. Kërkesa pason refuzimin e tij për të zbatuar masën e sigurisë të vendosur ndaj tij, atë të detyrimit për paraqitje. Zoti Berisha reagoi duke pohuar se cilido qoftë vendimi, pas autorizimit të parlamentit, ai do ta respektojë atë.

Prokuroria kërkon autorizimin e parlamentit për arrestimin e Berishës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Në të tre rastet, kur do të duhej të kishte shkuar përpara një oficeri të policisë gjyqësore, ish kryeministri është shfaqur në publik, në parlament apo konferenca shtypi. Vendimi i Gjykatës së Posaçme, i konfirmuar dhe nga Apeli i Posaçëm, e detyronte atë të paraqitej të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Por zoti Berisha i qëndroi i palëkundur idesë së tij se vendimi që i ndalonte atij dhe lëvizjen jashtë vendit, ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe se kjo i jepte atij të drejtën për të mos e zbatuar atë. Sipas tij, Prokuroria duhej të kishte kërkuar më parë autorizimin e parlamentit.

Mirëpo ky qëndrim, duket se po i kushton tani me një masë më të ashpër. Kodi i Procedurës Penale parashikon që kur nuk zbatohet një mase sigurie “gjykata mund të vendosë një masë tjetër më të rëndë”, që në këtë rast, do të ishte “arresti në shtëpi”, e për të cilin autorizimi i parlamentit është i detyrueshëm.

Në shkresën dërguar parlamentit, drejtuesi i Prokurorisë së posaçme Altin Dumani, nuk e ka përcaktuar masën e kërkuar, duke folur për zëvendësimin e masës së mëparshme me “arrest me burg/arrest shtëpie”.

Zoti Berisha nga ana e tij tha se do të respektojë vendimin që do të përcaktohet nga autorizimi I Parlamentit: “Çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim. Qëndrimi im, i përsëritur këtu, ua kam thënë sa herë keni pyetur, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që zbatoi një vendim antikushtetues. Isha në vështirësi në këtë rast se kishte të bënte me mua, por ai ishte një akt i shkruarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve ose gjykatësve. Nuk mund të ndodhte dhe nuk ndodh kurrë përmes Sali Berishës. Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë”.

Parlamenti njodtoi pasdite se mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ku do të merret në shqyrtim kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, do të zhvillohet të hënën e ardhshme, më 18 dhjetor, duke i lënë kështu kohë zotit Berisha të njihet me aktet. Në mbledhje do të dëgjohet dhe Prokuroria e Posaçme.

Ndaj zoti Berisha nuk është ngritur akuzë. Ai është në hetim, nën dyshimet për “korrupsion” në rastin i procedurave të privatimit të ish klubit sportiv Partizani, ku dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ishte një ndër përfituesit, së bashku me pronarët e tjerë të truallit mbi të cilin më pas u ngrit një kompleks pallatesh. Zoti Malltezi fillimisht u arrestua, por më pas u la me arrest shtëpie. Ish kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, ndërsa e ka cilësuar, dhëndrin e tij si një “të burgosur politik”.

XS
SM
MD
LG