Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të martën aktakuzë ndaj një pjesëtari të komunitetit serb për krime lufte kundër popullatës civile.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.M. ish gardian i burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve…në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme”.
Po ashtu, ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
I akuzuari, të cilin mediet serbe e identifikuan si Dragisha Milenkoviç, ishte arrestuar në qershor të këtij viti në Graçanicë afër Prishtinës, duke nxitur reagime dhe protesta në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha me 8 dhjetor se që nga marrja e përgjegjësisë për ndjekjen penale të krimeve të luftës, në vitin 2016. ka ngritur 33 aktakuza për krime lufte që përfshijnë 89 persona, pjesa më e madhe të akuzuar në mungesë.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, deri tash nga institucionet vendëse e ndërkombëtare për krime lufte janë dënuar mbi 70 persona.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.
Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.