Në Shqipëri Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi të enjten ish kryebashkiakun socialist të Bulqizës Lefter Alla, me tre vjet burgim, por që për shkak të gjykimit të shkurtuar ulet në 2 vjet heqje lirie. Ai u akuzua për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”.
I zgjedhur në qershor të vitit 2019, Alla, si dhe zëvendësja e tij Enkeleda Lleshi së bashku me disa ish zyrtarë të tjerë, anëtarë të Njesisë së Prokurimit, dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u arrestuan në mars të këtij viti, pasi hetimet zbuluan shkelje në procedurat e ndjekura në tenderin për rinovimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në zonën e njohur si “Lagja e vjetër” të qytetit të Bulqizës, me një vlerë rreth 3 milionë dollarë. Nën arrest përfunduan dhe drejtuesë të kompanive private të ndërtimit të përfshira, si dhe teknikë të ngarkuar për ndjekjen e punimeve.
Ish nënkryetarja Lleshi u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim të cilat ju konvertuan në 3 vjet e katër muaj provë. I njejti dënim si ai ndaj ish kryebashkiakut Alla u dha dhe për Erion Isakun, i cili kishte qenë anëtar i Komisionit të vlerësimit të ofertave. Gjatë hetimeve, sipas Prokurorisë, ishte vërtetuar se ai kishte marrë para, nga firmat fituese të tenderit.
Katër ish zyrtarë të tjerë të bashkisë u liruan pasi dënimi me 1 vit e 2 muaj, korrespondon me periudhën e paraburgimit, ku 1 ditë, llogaritet sa 1.5 ditë burgim.
Për të gjithë ish zyrtarët është dhënë dhe dënimi i heqjes të së drejtës për të ushtruar një funksion publik për një periudhë 5 vjeçare.
Tenderi për ujësjellësin u fitua nga kompanitë “England shpk”, me pronar Rasim Dacin, dhe “BE-IS shpk”, ndërkohë që nga hetimet ka rezultuar se ato kanë shërbyer thjesht si fasadë, pasi punimet janë kryer në të vërtetë nga kompania “OE 2AF Albania shpk” e Aqif Koneshës, i cili, siç ka vënë në dukje Prokuroria e Posaçme “rezulton lidhje e afërt e Kryetarit të Bashkisë Bulqizë”.
Daci dhe Konesha, u dënuan respektivisht me 1 vit e 8 muaj dhe 1 vit e 4 muaj burgim. I pari u akuzua për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Konesha për “Falsifikim të dokumenteve”. Dënim me një vit burg, i konvertuar në 2 vjet provë, për Gani Gazideden, teknik ngarkuar për ndjekjen e punimeve.