Lidhje

Kosovë, kremtimet për krishtlindjet ortodokse


Liturgjia qendrore me rastin e krishtlindjeve ortodokse është mbajtur në manastirin e Graçanicës afër Prishtinës. Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije, bëri thirrje për paqe dhe mirësi ndërmjet njerëzve.

“Lutemi për paqe për të gjithë popujt dhe njerëzit, edhe popullin shqiptar, sepse e dimë që Zoti na ka takuar me njëri tjetrin dhe na ka udhëzuar për jetë të bukur dhe bashkëpunim e për paqe ku fshihet dashuria si dhe të kuptojmë që jemi të nevojshëm për njëri tjetrin. Gjithçka që dëshirojmë për veten e dëshirojmë edhe për ta, kjo është lutja jonë. Edhe kjo ditë bën thirrje për këtë lutje, në këtë na thërret Krishti i cili erdhi si shpëtim për të gjithë njerëzit dhe popujt duke na mësuar të jemi të ndryshëm dhe që dallimet të mos jenë shkak për keqkuptime e kundërshtime, por për pasurim dhe njohje të ndërsjellë”, tha patriarku Porfirije.

Kosovë, kremtimet për krishtlindjet ortodokse
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Udhëheqësit politikë të Kosovës, i përgëzuan besimtarët ortodoks me rastin e krishtlindjeve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje që mirëkuptimi, solidariteti, toleranca dhe shpresa të jenë udhërrëfyes të përhershëm.

Kryeministri, Albin Kurti tha se përveç e kremte, Krishtlindja është edhe rikujtim për mirënjohje, dashamirësi, devotshmëri dhe shërbim pa kushte ndaj të mirës për të tjerët e për shoqëri më të drejtë për të gjithë.

Meshë me rastin e krishtlindjeve ortodokse u mbajt edhe në manastirin e fshatit Basnjkë në veri të Kosovës në afërsi të të cili me 24 shtator të vitit që lamë pas një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer të saj, në incidentin më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Ngjarja çoi në përpjekje të reja për rimëkëmbjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, të cilat që nga viti 2013 kanë arritur një sërë marrëveshjesh por një pjesë e madhe e tyre ende nuk janë zbatuar.

Fillimi i këtij viti shënoi përmbylljen e marrëveshjes për përdorimin e targave të makinave. Fillimisht Serbia vendosi të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës në territorin e saj, e më pas Kosova shpalli vendimin për zbatimin e masës së ndërsjellë për makinat me targa të Serbisë.

Udhëheqësit kryesor të bllokut i kanë kërkuar Kosovës që të fillojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradit njohjen de facto të Kosovës. Muajin e kaluar Beogradi tha se nuk do të zbatojë asgjë nga marrëveshjet që çon në njohjen e Kosovës, ndonëse Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se zbatimin e marrëveshjeve do ta bëjë pjesë të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të përparimit të Kosovës në proceset integruese.

XS
SM
MD
LG