Lidhje

Tensionet në parlament, presidenti Begaj nuk mban dot fjalën


Seanca e sotme në parlamentin shqiptar
Seanca e sotme në parlamentin shqiptar

Në Shqipëri sesioni i ri parlamentar nisi edhe sot pasdite në një atmosferë tensioni në sallë ku një pjesë e deputetëve demokratë, që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha qëndruan në këmbë duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.

Në hapje të këtij sesioni ishte parashikuar dhe një fjalim i presidentit Bajram Begaj. Drejtuesja e seancës zonja Lindita Nikolla u kërkoi disa herë deputetëve të uleshin në vendet e tyre, ndërsa këta të fundit qëndronin në këmbë, me parulla kundër qeverisë në duar. Ata këmbëngulën që fillimisht të largoheshin punonjësit e gardës të rreshtuar përpara podiumit, dhe vijuan me protestën, ndërsa akuzuan presidentin se me praninë e tij, ishte vënë në shërbim të shumicës.

“Presidenti erdhi si shërbëtor i përulur i Edi Ramës për të bekuar ndryshimet e ligjit që dhunon opozitën, ndryshimet e ligjit që i heq opozitës çdo të drejtë kushtetuese. Erdhi si një ministër propaganda”, deklaroi pas seancës deputeti Flamur Noka, një nga figurat drejtuese të grupimit të udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie.

Thuajse në të njejtën linjë ishin dhe deklaratat e kreut të grupit demokrat Gazmend Bardhi, i cili ka pas vetes një numër të konsiderueshëm deputetësh. “Ishte një provokim i ulët i presidentit ndaj opozitës në parlament. I bëj thirrje të heqë dorë nga sjellja si palë, si i njëanshëm, si vartës i shumicës, dhe të respektojë kolltukun e kreut të Shtetit ku është ulur. Presidenti u soll sot si i verbër që nuk ka parë se parlamenti nuk funksionon. Dhe kjo është shumë shqetësuese”, u shpreh ai duke deklaruar se opozita nuk ishte njoftuar për praninën e Kreu të shtetit, për herë të parë në sallën e parlamentit për t’ju drejtuar deputetëve.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh në mbyllje të seancës se “dita e sotme provoi se interesat e qeverisë nuk janë normaliteti politikë, llogaridhënia dhe mbajtja e përgjegjësisë, por vazhdimi i teatrit me skenarë dhe regji të Edi Ramës që pamundëson zërin e opozitës, pamundëson mbajtjen e përgjegjësisë dhe dhënien e llogarisë që është dhe funksioni kryesor i Parlamentit. Kështu që sot kam një thirrje për Presidentin e Republikës: Të kthejë mbrapsht ndryshimet e njëanshme të ligjit për Komisionet Hetimore”

Situata e tensionuar e bëri të pamundur mbajtjen e fjalimit nga Presidenti Begaj, i cili zgjodhi ta bënte këtë më pas, nga zyra e tij. Në tekstin përmes të cilit ai i drejtohej parlamentit, kreu i Shtetit, i bëri thirrje, forcave politike që të lënë mënjanë interesat partiake të cilat siç tha ai “nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit socialo- ekonomik të vendit dhe, për situatën ku ndodhemi, për ecurinë e procesit integrues në BE”.

Presidenti Begaj, vuri në dukje se “sesioni i kaluar i Kuvendit, fatkeqësisht, shpenzoi më shumë kohë për agjenda joparlamentare, se sa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më. Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të ri-orientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë stategjik SHBA”, nënvizoi kreu i Shtetit shqiptar.

Seanca e sotme u mbyll brenda pak minutave, me socialistët që votuan mes zhurmës dhe kaosit, ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar. Protestat e disa grupeve të opozitës kanë nisur që prej muajve të fundit të vitit të kaluar, për shkak të mohimit sipas tyre të së drejtës për ngritjen e komisioneve hetimore apo dhe mos marrjes në konsideratë të ndryshimeve që ata kanë kërkuar në përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore.

Nisja e sesionit parlamentar ishte paraprirë nga një deklaratë e ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit europian Silvio Gonzato, i cili u kujtoi forcave politike se zbatimi i reformave që kërkohen në rrugën e integrimit europian kërkon “funksionimin efektiv të parlamentit dhe një bashkëpunim të mirë midis të gjitha institucioneve”. Por për momentin, nuk ka asnjë sinjal, se gjakrat e ndezur do të mund të shuhen dhe palët t'i rikthehen normalitetit.

XS
SM
MD
LG