Lidhje

Dy të plagosur nga shpërthimi i një granate dore në veri të Mitrovicës


Policia e Kosovës tha se dy persona mbetën të plagosur nga pasojat e një shpërthimi në pjesën veriore të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe.

Zëvendës komandanti i policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, i tha Zërit të Amerikës se rreth mesnatës nga një makinë në lëvizje, është hedhur një bombë dore drejt tre personave të përkatësisë etnike serbe ndërsa po dilnin nga një hotel në zonë.

Dy të plagosur nga shpërthimi i një granate dore në veri të Mitrovicës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

“Njëri nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spitalin në Mitrovicë të Veriut. Ai është jashtë rrezikut për jetë. Ndërkaq, personi tjetër është plagosur lehtë”, tha zoti Elshani, sipas të cilit shpërthimi ka dëmtuar edhe shtatë makina që ishin në afërsi.

"Nuk kemi arsye të besojmë se ky rast ka lidhje me çështje etnike", tha zoti Elshani.

Ende nuk janë të qarta motivet e as autorët e mundshëm të sulmit, të cilin prokuroria tha se po e trajton si tentim vrasjeje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës është cilësuar e brishtë që nga tërheqja e punonjësve serbë nga të gjitha institucionet vendase në nëntor të vitit 2022, mes mospajtimeve me qeverinë në Prishtinë rreth vendimit të saj për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Tërheqja e punonjësve serbë dhe tensionet që përshkuan zonën çuan në hapjen e procesit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe, pasi zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar u bojkotuan nga partitë politike nga radhët e komunitetit serb.

Kryetarët shqiptarë të dalë nga këto zgjedhje në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, shkuan në zyrat e tyre me mbështetjen e policisë mes kundërshtimesh e protestash të dhunshme në maj të vitit të kaluar.

Autoritetet lokale në veri thonë se nesër pritet të nisë mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve aktual të katër komunave veriore.

Kryetari i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, i tha Zërit të Amerikës se mëngjesin e së mërkurës grupe të organizuara të banorëve serbë do të organizojnë nënshkrimin e një peticioni që pritet t’i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve.

Policia tha se situata është e qetë në veri të Mirtovicës, ku gjatë ditës u bënë nderime në vendin ku gjashtë vjet më parë u vra politikani lokal serb, Oliver Ivanoviç, ish udhëheqës i nismës qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia". Vrasja ndodhi në ditën e sotme të vitit 2018 në rrethana ende të pasqaruara. Aktualisht është në vazhdim e sipër një proces gjyqësor ndaj gjashtë personave të akuzuar për ndihmë në organzimin e vrasjes dhe pengimin e drejtësisë, por identiteti i atyre që kryen vrasjen, vazhdon të mbetet i panjohur.

XS
SM
MD
LG