Lidhje

Fillon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviçit


Të mërkurën në veriun e Mitrovicës dhe në Leposaviç, ka nisur nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave të banuara me shumicë serbe.

Nënshkrimet pritet të mblidhen në Zveçan dhe Zubin Potok javën që po vjen për t’i hapur rrugë organizimit të zgjedhjeve të reja në pjesën veriore të Kosovës.

Sanja Kërtiniç, njëra nga nismëtaret për peticion në veriun e Mitrovicës i tha Zërit të Amerikës se ka interesim të madh për nënshkrimin e peticionit.

Nis mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviçit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:52 0:00

“Siç e shihni, gjatë gjithë kohës vijnë grupe qytetarësh, nënshkruajnë peticionin dhe deri më tash jemi më se të kënaqur sepse kjo tregon se qytetarët janë të interesuar që të ndërrojnë kryetarin e komunës”, tha ajo.

Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

Zonja Krtiniç tha se po bëhen përpjekje për të tejkaluar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve, me synim të përçimit të mesazhit se kryetarët aktualë janë të padëshiruar.

“Njëzet përqindëshi është goxha lehtë që të përmbushet dhe kjo është tre mijë e 640 nënshkrime. Ne po mendojmë që të shkojmë edhe më lartë për arsye se nuk duam që statusi i disa nënshkruesve të jetë i pavlefshëm apo diçka ngjashëm sepse duam ta zbatojmë këtë peticion deri në fund ashtu siç duhet, që të respektohet si i tillë”, tha zonja Krtiniç.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë e cila u përkeqësua pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku.

XS
SM
MD
LG