Lidhje

Fregata daneze drejt Detit të Kuq për të ndihmuar operacionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara


Të hënën Danimarka nisi drejt Detit të Kuq një fregatë e cila do të marrë pjesë në operacionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur anijet tregtare kundër sulmeve të militantëve Houthi.

Organizata terroriste Houthi, e mbështetur nga Irani, ka ndërmarrë një valë sulmesh me dronë dhe raketa kundër anijeve tregtare dhe ushtarake që nga 19 nëntori, si reagim ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

Anijet tregtare janë detyruar të përdorin rrugën detare të Kepit të Shpresës së Mirë të Afrikës së Jugut. Kjo rrugë detare është rreth 14 ditë më e gjatë dhe më e kushtueshme se kalimi përmes Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit.

Danimarka, ku ka selinë kompania e transportit detar “Maersk MAERSKb.CO” po dërgon fregatën 139 metra të gjatë për të marrë pjesë në operacionet për mbrojtjen e anijeve tregtare.

Ministri i Mbrojtjes së Danimarkës, Troels Lund Poulsen, foli për shtypin nga bordi i fregatës përpara nisjes së saj nga baza detare Korsor. Ai tha se e “kanë gabim ata që mendojnë se ne do të rrimë duarkryq dhe të lejojmë lëvizjen Houthi që të terrorizojë tregtinë e lirë botërore”.

Javën e kaluar rebelët Houthi qëlluan me tre raketa balistike drejt një anije transporti që lundronte nën flamurin amerikan, të operuar nga firma Maersk.

Fregata është e pajisur me raketa amerikane kundër anijeve të tipit Harpoon dhe raketa tokë-ajër të modelit ESSM, por nuk ka aftësi mbrojtëse kundër raketave balistike, tha kreu i Komandës së Marinës Daneze, Henrik Ryberg.

Fregata me një ekuipazh prej rreth 175 marinarësh do të fillojë operacionet në Detin e Kuq, sapo parlamenti danez të miratojë një rezolutë për dërgimin e anijes luftarake në zonë, çka pritet më 6 shkurt. Fregata nuk do të marrë pjesë në ofensivën kundër rebelëve të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, tha ministri.

Rreth 2500 anije të kompanive daneze të transportit detar kalojnë në vit përmes Detit të Kuq, një rrugë tregtare që përbën rreth 15% të trafikut të anijeve në botë.

XS
SM
MD
LG