Lidhje

Izraeli paralajmëron heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës


Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv njoftoi të hënën se qeveria izraelite ka vendosur të miratojë marrëveshjen për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.

Në një njoftim përmes rrjeteve sociale, ambasadorja Ziv tha se të dyja ministritë përkatëse do të vazhdojnë procedurat e nënshkrimit dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi.

“Shpresoj që ky moment historik i veçantë në marrëdhëniet tona dypalëshe do të nxisë më tej bashkëpunimin në rritje midis vendeve tona dhe do t'i afrojë qytetarët tanë”, shkroi ambasadorja Ziv.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila gjatë ditës u takua me ambasadoren e Izraelit shkroi në rrjetet sociale se qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike. Presidentja tha se ky vendim është zhvillim pozitiv “i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve”.

Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike gjatë një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, të organizuar nga ish presidenti amerikan, Donald Trump.

Kosova u bë vendi i parë evropian dhe vendi i parë me shumicë myslimane, që vendosi ambasadën në Jerusalem në vend të Tel Avivit, pas Shteteve të Bashkuara dhe Guatemalës.

Izraeli është vendi më i fundit që ka njohur pavarësinë Kosovën, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore euro-perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

XS
SM
MD
LG