Lidhje

Kosovë: Ish ministri Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e tetë muaj heqje lirie për keqpërdorim të detyrës zyrtare


Një gjykatë në Prishtinë dënoi të mërkurën ish ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre zyrtarë të tjerë nën akuzat “për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës”.

Të katër zyrtarët u shpallën fajtorë për ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë “Bechtel&Enka” që ndërtoi autostradën Prishtinë – Hani i Elezit që lidh Kosovën më Maqedoninë.

Autostrada me një gjatësi prej rreth 60 kilometrash e cila u përurua në vitin 2019 i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, aktualisht deputet në parlamentin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u dënua me tre vjet e tetë muaj heqje lirie si dhe ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike për tre vjet e gjashtë muaj.

Eset Berisha, ish këshilltari politik i ish ministrit Lekaj, u dënua me 3 vjet e 3 muaj heqje lirie dhe ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Nebih Shatri, sekretar i Përgjithshëm në ministrinë e Infrastrukturës, u dënua me 1 vit e 8 muaj heqje lirie dhe ndalim të ushtrimit të funksionit publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

Dënimi i njëjtë iu shqiptua edhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Të gjithë i kanë mohuar akuzat dhe avokatët e tyre paralajmëruan ankesë.

Në vitin 2018, qeveria e Kosovës i ndau 53 milionë euro shtesë për kompaninë që ndërtonte autostradën për shkak të siç është thënë, dështimit të qeverisë së mëparshme për t’i përmbushur me rregull detyrimet ndaj ndërtuesit.

Një kompani mbikëqyrëse e ndërtimit të autostradës e kontraktuar nga qeveria e Kosovës kishte thënë se detyrimet ndaj kompanisë ndërtuese arrinin në rreth 14 milionë euro.

Vendimi nxiti debate e pakënaqësi duke çuar në hetimin e çështjes dhe ngritjen e akuzës në vitin 2022 ndaj zotit Lekaj dhe tre zyrtarëve të tjerë.

XS
SM
MD
LG