Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier i kërkoi sërish qeverisë së Kosovës që të shtyjë vendimin e Bankës Qendrore për çështjen e dinarit serb, në të kundërtën siç tha ai do të ketë ndikim në partneritetin në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kjo është gjëja që ne shikojmë partneritetin dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve, ajo do të ndërtojë, do të përforcojë partneritetin tonë më të gjerë. Dhe në masën që qeveria nuk dëshiron të jetë partnere me ne, për këtë çështje shumë të ndjeshme, do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”, tha ambasadori Hovenier pas takimit të ambasadorëve të vendeve perëndimore me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“Kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje që besojmë se nuk janë marrë parasysh disa realitete dhe shqetësime nga komuniteti”, tha ambasadori Hovenier duke theksuar se kërkesa e Shteteve të Bashkuara mbetet shtyrja e vendimit deri në një periudhë të mjaftueshme informimi për qytetarët e prekur.
Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate citoi kryeministrin Albin Kurti, pas takimit me ambasadorët e vendeve perëndimore, të ketë shprehur gatishmërinë e qeverisë dhe institucioneve “që të adresojnë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur në mënyrë të shpejtë teksa theksoi që gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar dhe në mënyrë të paformalizuar”.
Në komunikatën e qeverisë theksohet se “asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë apo në komunat me shumicë serbe në Kosovë nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores”.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi me 1 shkurt, sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka ngritur shqetësimin e diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja. Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri.
Autoritetet në Kosovë kanë lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bëri thirrje të hënën për bashkëpunim me aleatët e Kosovës në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore.
“Rrjedhimisht unë nuk shoh asgjë abnormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në gjetjen e rrugëve shumë efektive nëpërmjet të cilave do të informoheshin qytetarët e Kosovës se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së, e cila nuk është rregullore kundër dinarit, nuk është rregullore që e përmend diku dinarin por është rregullore që ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave, koorrupsionit dhe shumë masa tjera”, tha presidentja Osmani.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius gjatë një vizite në Kosovë ku u takua me udhëheqësit e vendit tha se përdrimi i euros në të gjitha zonat e vendit është e drejtë legjitime e Kosovës.
“Por ndoshta ndonjëherë do të ishte mirë që kjo të komunikohej më mirë dhe të paraqitej në mënyrë të përshtatshme që askush të mos ndihet i frikësuar. Sidomos për njerëzit që janë prekur në veri të Kosovës”, tha ministri Pistorius.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama shkroi në rrjetet sociale se qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të bashkërendohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, por sipas tij nuk duhet të harrohet gjithashtu e drejta e pamohueshme e Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj. Ai tha se pas Banjskës, duke ju referuar sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar, “është thelbësore të ruhet fokusi dhe ndjenja e ekuilibrit”.
Autoritetet në Serbi thonë se vendimi i autoriteteve në Kosovë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb ka për qëllim spastrimin etnik të serbëve, ndërsa kanë paralajmëruar thirrjen e një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.