Lidhje

Blinken vazhdon takimet në Lindjen e Mesme mes përpjekjesh për armëpushim në Gazë


Gjatë konferencës për shtyp në Katar
Gjatë konferencës për shtyp në Katar

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vazhdoi vizitën e tij në Lindjen e Mesme me takime në Katar. Kryeministri i Katarit tha gjatë takimit të martën se reagimi i Hamasit ndaj propozimit më të fundit për armëpushimin në Gazë dhe lirimin e pengjeve ishte “përgjithësisht pozitiv”.

Katari, vend i cili ka ndërmjetësuar prej kohësh me Hamasin, ka punuar gjithashtu me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin për ndërmjetësimin e një armëpushimi që do të sillte një ndërprerje të gjatë të luftimeve dhe lirimin e mbi 100 pengjeve që ende mbahen nga Hamasi pas sulmit që bëri ndaj Izraelit më 7 tetor dhe që shkaktoi fillimin e luftës gati katër muaj më parë.

Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani nuk dha detaje për përgjigjen e Hamasit, por tha se grupi kishte komente për të bërë. Sekretari Blinken konfirmoi se zyrtarët kishin përgjigjen e Hamasit dhe tha se do të informojë udhëheqësit e Izraelit, kur të mbërrijë në këtë vend të mërkurën.

Gjatë konferencës për shtyp pas takimeve në Katar, sekretari Blinken tha se: "Ka ende shumë punë për të bërë, por ne vazhdojmë të besojmë se marrëveshja është e mundshme, dhe vërtet e domosdoshme".

Sekretari Blinken duke u takuar me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Katarit, Mohammed Bin Abdulrahman Al Thani (Doha, 6 shkurt 2024)
Sekretari Blinken duke u takuar me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Katarit, Mohammed Bin Abdulrahman Al Thani (Doha, 6 shkurt 2024)

Hamasi u shpreh në një deklaratë se ishte përgjigjur në një “frymë pozitive” për propozimin më të fundit të paraqitur nga ndërmjetësit amerikanë dhe të vendeve të Lindjes së Mesme. Por, grupi militant tha se dëshiron arritjen e një armëpushimi “gjithëpërfshirës dhe të plotë” për t’i dhënë fund “agresionit ndaj popullit tonë”. Izraeli ka përjashtuar mundësinë e një armëpushimi të përhershëm, si ai që kërkohet nga grupi militant.

Sekretari Blinken u takua më herët me zyrtarët egjiptianë dhe të hënën ishte në Arabinë Saudite.

Vizita në rajon e zotit Blinken vjen mes shqetësimeve në rritje në Egjipt, mbi synimet e deklaruara të Izraelit, për të zgjeruar luftimet në Gazë edhe në zonat në kufi me Egjiptin, të cilat janë të mbushura me palestinezë të zhvendosur.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka thënë se ofensiva do të shtrihet edhe në Rafah, në qytetin në kufi me Egjiptin, ku ndodhen më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës, që janë vendosur aty për t’i shpëtuar luftimeve. Ata jetojnë aty në kushte gjithnjë e më të mjerueshme.

Monitoruesit humanitarë të OKB-së thanë të martën se urdhrat e evakuimit të dhëna nga Izraeli përfshijnë tashmë dy të tretat e territorit të Gazës, gjë që ka bërë që me mijëra njerëz të shkojnë çdo ditë drejt zonave kufitare.

Egjipti ka paralajmëruar se një shtrirje e operacioneve izraelite përgjatë kufirit do të kërcënonte traktatin e paqes që dy vendet kanë nënshkruar mbi katër dekada më parë. Egjipti druhet se një zgjerim i luftimeve në zonën e Rafahut, mund t’i detyrojë civilët palestinezë të tmerruar që të takojnë kufirit, një skenar që Egjipti ka thënë se është i vendosur ta parandalojë.

Zoti Blinken, i cili u takua të martën me presidentin egjiptian Abdel-Fattah el-Sissi në Kajro, ka thënë vazhdimisht se palestinezët nuk duhet të detyrohen të largohen nga Gaza.

Me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi
Me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi

Sekretari amerikan i shtetit synon ta shfrytëzojë këtë turne të ri në Lindjen e Mesme për të shënuar përparim lidhur me një marrëveshje armëpushimi në rajon, për normalizimin mundshëm të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Por zoti Blinken përballet me sfida të mëdha në të treja këto fronte.

Hamasi dhe Izraeli kanë mosmarrëveshje të hapura rreth elementëve kyç të një armëpushimi të mundshëm. Izraeli ka hedhur poshtë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për një plan drejt një shteti palestinez dhe aleatët militantë të Iranit në rajon, kanë dhënë pak shenja zmbrapsjeje për shkak të sulmeve ajrore amerikane.

Egjipti, së bashku me Katarin, ku zoti Blinken do të ndalet më vonë të martën, janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit e cila potencialisht do të çonte në lirimin e më shumë pengjeve në këmbim të një pauze disajavore në operacionet ushtarake izraelite. Mbi ideimin e marrëveshjes kanë punuar shefat e inteligjencës nga Shtetet e Bashkuara, Egjiptit, Katarit dhe Izraelit. Ajo i është paraqitur Hamasit, në fund të muajit të kaluar, por ky i fundit nuk është përgjigjur ende zyrtarisht.

Zyrtarët amerikanë thanë se zoti Blinken shpreson të marrë informacion mbi përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit, si në Kajro ashtu edhe në Doha. Zoti Blinken do të udhëtojë më pas për në Izrael për të informuar Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kabinetin e tij të luftës të mërkurën, lidhur me bisedimet e zhvilluara me udhëheqësit arabë.

Ashtu si në katër udhëtimet e tij të mëparshme në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza, qëllimi tjetër kryesor i sekretarit Blinken është të parandalojë përhapjen e konfliktit, një detyrë e bërë gjithnjë e më e vështirë nga sulmet e shtuara nga milicitë e mbështetura nga Irani në rajon dhe nga kundërpërgjigja gjithnjë e më e fortë e ushtrisë amerikane në Irak, Siri, Jemen dhe Detin e Kuq, ku janë intensifikuar sulmet që nga java e kaluar.

Të hënën zoti Blinken u takua me princin e kurorës Mohammed bin Salman, në kryeqytetin saudit, Riad. Zyrtarët sauditë kanë thënë se mbretëria vazhdon të jetë e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, por vetëm nëse ekziston një plan i besueshëm për të krijuar një shtet palestinez.

Zoti Blinken "theksoi rëndësinë e trajtimit të nevojave humanitare në Gazë dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të konfliktit". Ai dhe princi i kurorës diskutuan mbi "rëndësinë e ndërtimit të një rajoni më të integruar dhe më të begatë", thuhej në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit.

XS
SM
MD
LG