Lidhje

Shkup, vijojnë përçarjet në partinë Aleanca për Shqiptarët. Parlamenti shkarkon dy ministra


Zijadin Sela, Aleanca për Shiptarët
Zijadin Sela, Aleanca për Shiptarët

Mbështetës të ish-kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në Kuvendin Qendror të partisë të mbajtur të shtunën në Shkup votuan nismën për shkarkimin e zotit Arben Taravri nga posti i kryetarit të partisë “për shkak të shkeljes së rëndë të Statutit të partisë”.

Siç njoftoi zoti Sela, nga 108 anëtarët e pranishëm në Kuvend, 106 kishin votuar pro shkarkimit, një kundër dhe një tjetër ka abstenuar.


Zoti Sela, i cili është kryetar i Kuvendit Qendror të partisë, u tha gazetarëve se kuvendi është organi i vetëm që merr vendime përfundimtare në emër të partisë.

Këtij takimi i kanë paraprirë përplasjet mes këtij krahu dhe atij të kryetarit aktual të partisë, Arben Taravari pas vendimit të tij të papritur për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme.

Krahu i zotit Taravari mbajti para dy ditësh një takim në Kumanovë ku, siç u tha, u zyrtarizua vendimi për bashkimin në koalicion zgjedhor me Lëvizjen Evropiane për Ndryshim të partive shqiptare të opozitës. Por, kundështarët e kreut të Aleancës për Shqiptarët e hedhin poshtë këtë pretendim duke e quajtur jolegjitim.

Ziadin Sela tha para takimit të sotëm se zotit Taravari i ishte dërguar ftesa për të marrë pjesë në Kuvend, ndërsa theksoi se vendimi përfundimtar për shkarkimin e zotit Taravari do të merret në Kongresin e partisë më 18 shkurt.

Arben Taravari, nga ana tjetër përmes një shkrimi në rrjetet sociale thekson se prej sot nuk merret me atë se e kujt është partia. “Kushdo që ka ankesa le t’i drejtohet gjykatës. Kauza jonë është ndryshimi që ka nisë”, shkruan ai, ndërkohë që akuzon BDI-në për përçarjet brenda partisë së tij.

Ndërkohë, ish-kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski u shpreh po të shtunën se “zoti Taravari nuk është një faktor kyç për të ardhmen e vendit dhe për ‘frontin’ e tij evropian”.

Si pasojë e përçarjes në Aleancën për Shqiptarët, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut shkarkoi mbrëmë në mesnatë dy ministrat e kësaj partie, Fatmir Mexhitin e Shëndetësisë dhe Azir Aliun e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, për shkak të mbështetjes për zotin Taravari. Parlamenti pritet të miratojë të hënën Ilir Demirin dhe Naim Bajramin në vend të tyre.

Analistët parashikojnë se përçarjet do t’i shkaktojnë dëme të rënda kësaj partie, që aktualisht është subjekti i dytë më i madh politik shqiptar në vend.

XS
SM
MD
LG