Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagoi sot pas njoftimit zyrtar nga Departamenti amerikan i Shtetit mbi vizitën e Sekretarit Antony Blinken, më 14 shkurt.
Përmes një statusi në Facebook zoti Rama tha se zgjedhja Shqipërisë për këtë vizitë në rajon, ka një vlerë të veçantë për vendin, në një kohë të trazuar për botën sikurse shkruante ai.
Për zotin Rama, Shqipëria e ka dëshmuar se është i aleat dhe partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, i angazhuar për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon.
Ai shtonte se “Shqipëria mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Po kështu në mesazhin e tij zoti Rama shtonte se Uashingtoni, gjen tek Shqipëria një anëtar të përkushtuar të NATO-s, gati të angazhojë trupa dhe burime të reja në kuadër të angazhimit kolektiv për fuqizimin e aleancës.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen amerikane në atë që e cilësoi reformim historik të sistemit të drejtësisë, që ka arritur të kryejë siç tha, disa goditje kuptimplota në nivelet më të larta, si dhe të zhbëje kulturën e pandëshkueshmërisë.
Në njoftimin e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, thuhej se gjatë qëndrimit në Tiranë, “Sekretari Blinken do të konfirmojë marrëdhëniet e afërta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.
Departamenti i Shtetit e cilëson Shqipërinë “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat të qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”