Lidhje

Shkup, miratohen dy ministra të rinj nga Aleanca për Shqiptarët


Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi dy ministra të rinj në kabinetin qeveritar të kryeministrit Talat Xhaferi, pasi të premten e kaluar shkarkoi nga posti ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike. Ministrat e rinj, Ilir Demiri i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami i Shoqërisë Informatike dhe Administratës morën votat e 63 ligjvënësve. Ata u propozuan për të drejtuar këto poste nga krahu i ish-kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar pasuan përçarjet mes zotit Sela dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari pasi ky i fundit vendosi t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e caktuara për më 8 maj.

Nga kjo u krijuan dy krahë, ai i zotit Taravari të cilin e mbështesin dy ligjvënës dhe tjetri me ish-kreun e ASH-së, Ziadin Sela që ka mbështetjen e gjashtë ligjvënësve të partisë.

Ilir Demiri është mjek – infektolog që deri më tani mbante detyrën e drejtorit të spitalit në Tetovë. Ndërkohë, Naim Bajrami me profesion është inxhinier i Teknologjisë Informatike.

Ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së kundërshtuan ndryshimet në qeverinë teknike duke i quajtur ato “manovra politike që cënojnë qëndrueshmërinë e pushtetit ekzekutiv”.

Parlamenti në Shkup, para miratimit të ministrave të rinj bëri ndryshime të ligjit për drejtimin e automjeteve, një çështje që ka nxitur mjaft shqetësime tek qytetarët e vendit. Ndonëse çështja është nga detyrimet e Marrëveshjes së Prespës, me Greqinë fqinje, ka munguar një fushatë për ndërgjegjësimin e opinionit publik lidhur me datat e skadimit të dokumenteve që përmbajnë emrin e vjetër të shtetit “Maqedonia e Veriut”.

Vetem pak ditë më parë autoritetet e rendit thanë se dokumentet personale, përfshirë lejet e drejtimit me emrin “Republika e Maqedonisë” skadojnë më 12 shkurt, 2024. Kjo krijoi mjaft pakënaqësi dhe shqetësim tek qytetarët.

Ligji i ri do t’u mundësojë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që të përdorin lejet e drejtimit të automjrteve me emrin e vjetër “Maqedonia e Veriut” deri më 31 dhjetor të këtij viti, por vetëm brenda vendit. Përdorimi i dokumenteve me emrin e ri “Maqedonia e Veriut” del si detyrim nga Marrëveshja e Prespës dhe duke qenë marrëveshje ndërkombëtare detyron zbatimin e plotë të saj nga vendet nënshkruese.

XS
SM
MD
LG