Prokuroria e Posaçme shqiptare, ka ngritur katër akuza të rënda për ish shefin e kardiokirurgjisë në Qendrën spitalore “Nënë tereza”, Edvin Prifti, në përfundim të hetimit të nisur ndaj tij në vitin 2021. Prokuroria njoftoi sot se ka dërguar çështjen për gjykim. Mjeku i njohur, akuzohet për “Korrupsion” në të paktën 7 raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehje të të ardhurave” dhe “Pastrim parash”. Një hetim pasuror ka çuar në sekuestrimin e afro 1.1 milion eurove, të cilat sipas Prokurorisë nuk justifikohen me burime të ligjshme. Zoti Prifti reagoi pas njoftimit të sotëm të Prokurorisë së Posaçme, përmes një postimi të gjatë në Facebook. duke folur për “akuza arbitrare në vazhdën e persekutimit të porositur me synim final dënimin tim të padrejtë dhe mbajtjen e fondeve të ligjshme të sekuestruara”.
Kardiokirurgu Prifti përfundoi nën akuzë, pasi emri i tij doli në përgjimet e Sekretares së Gjykatës së Krujës, e cila kishte operuar të ëmën, kundrejt pagesës së dhënë për mjekun, sipas Prokurorisë. Sekretarja e Gjykatës, e cila u arrestua, ishte pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që çoi në pranga, në 11 shkurt të vitit 2021, gjykatësen e Krujës Enkeleida Hoxha, një avokat dhe 7 persona të tjerë, mes tyre disa që shërbenin si ndërmjetës. Të gjithë dyshohet se ishin pjesë e një skeme për lirimin para kohe të të dënuarve.
Profesor Prifti u arrestua dy ditë më pas në sallën e gjyqit, pasi mjekut të njohur i ishin gjetur në banesë dhe në zyrën e tij mbi 256 mijë euro dhe pak më shumë se 15 milionë lekë të reja. Ai u la më pas në liri nga Apeli i Posaçëm. Në atë kohë, ai dhe avokati i tij, pretenduan se paratë ishin pjesë e një transaksioni për shitjen e një prone të bashkëshortes së mjekut, dhe se nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte se paratë ishin siguruar nga burime të paligjshme. Mjeku Prifti deklaroi se kishte punuar për shumë vjet në spitale me emër në Itali, se kishte marrë vlerësime e çmime më vlera të larta monetare dhe se në Shqipëri ushtronte aktivitetin dhe pranë një spitali privat.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme të martën, “gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.” Përveç shumave që ju gjetën në zyrë e banesë, Prokuroria bën të ditur se “është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar, dhe në përfundim janë sekuestruar në gjashtë llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177 497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë. Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434 319 Euro, 67 914 368 Lekë, si dhe 7 600 USD”.
Por sipas mjekut Prifti “gjithshka cfarë sipas kësaj organizate quhen “prova” janë mesazhe, deklarata apo thënie midis njerëzve të tjerë që shpesh herë janë fare të panjohur për mua. Nuk ka asnjë filmim, përgjim ambiental apo evidencë, përveç se çfare i ka thënë njëri dikujt tjetër”.
Sipas Prokurorisë mjeku i njohur është përpjekur përmes transaksioneve financiare të fshehë gjurmët e burimit të parave si dhe të shmangë detyrimet tatimore. “Hetimi ka provuar se prej vitit 2018, e në vijim, është pajisur me fatura fiktive, të cilat pasqyrojnë blerjen fiktive të sendeve dhe paisjeve mjekësore nga subjektet tregtare në emër të tij, me qëllim rrijtjen e kostove dhe shmangien nga detyrimet tatimore, por edhe për të justifikuar shumat e derdhura Cash në llogaritë e këtyre bizneseve, shuma të cilat më pas janë tërhequr prej tij, dhe janë depozituar në llogaritë personale. Në këtë mënyrë ai ka justifikuar burimet e të ardhurave, pa origjinë të ligjshme të cilat megjithatë nuk janë justifikuar plotësisht. Ky mekanizëm, veçanërisht lëvizjet monetare në llogaritë bankare, i shoqëruar me paisjen me fatura tatimore fiktive, tregon qëllimin e vërtetë të të pandehurit, i cili është fshehja dhe mbulimi i natyrës së burimit të të ardhurave, nga veprimtaria e korrupsionit”, vë në dukje Prokuroria.
Por nga ana e tij profesor Prifti i konsideron të pashpjegueshme pretendimet e prokurorëve. “Asnjë s’po kupton ç’lidhje kanë faturat, me justifikimin dhe qarkullimin e të ardhurave, fjalë që përdoren në deklaratë për të krijuar disinformim. Pra unë, për të justifikuar të ardhurat e mia, marr fatura nga të tjerë? Dhe në çdo rast, çdo kompani, ka bërë deklaratën përkatëse sipas të vërtetës që këtu s’ka asnjë fiktivitet”, shkruan ai.
Hetimet e lidhin profesor Priftin dhe me një episod tjetër, kur si Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, “pasi ka përfituar një Grant në shumën 8 973 USD, nga një fondacion me qëllim financimin e një projekti që do të implementohej në Shërbimin të cilin ai drejtonte, rezulton se nuk ka investuar të gjithë shumën monetare të Grantit, por i ka përfituar për interesa personale”, bën të ditur prokuroria e cila për këtë e akuzon atë për “Vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën”. Për mjekun Prifti “këtu inkuizicioni takon fundin. Çdo element në lidhje me këtë projekt, ka fatura dhe justifikime. I vetmi element është që ky projekt duhet të fillonte në mars 2020 dhe u bllokua pjesërisht për shkak të pandemisë COVID19 dhe mbylljes së universitetit”, shkruan ai duke dhënë versionin e tij për ngjarjen.