Lidhje

Shkup, partitë shqiptare të opozitës firmosin deklaratën për bashkëpunim


Koaliiconi VLEN
Koaliiconi VLEN

Katër parti shqiptare dhe aktivistë nga Maqedonia e Veriut të Lëvizjes Vetëvendosje nënshkruan të shtunën në Shkup një deklaratë për bashkëpunim në prag të fillimit të fushatës zgjedhore.

Aleanca për Shqiptarët e krahut të Arben Taravarit, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike shpallën koalicionin e quajtur "VLEN", me të cilin do të paraqiten në zgjedhjet e pritshme presidenciale dhe parlamentare.

Këtyre partive i bashkohen edhe aktivistë nga Maqedonia e Veriut të Lëvizjes Vetëvendosje. VLEN do të garojë me Arben Taravarin për president të vendit në zgjedhjet e 24 prillit dhe me lista të përbashkëta për deputetë në zgjedhjet e 8 majit.

Synimi i këtij subjekti politik është rrëzimi i Bashkimit Demokratik për Integrim nga pushteti, ndërkohë që ato gjatë periudhës së bisedimeve për koalicionin nuk kanë paraqitur ndonjë ofertë të qartë për përmirësimin e kushteve dhe jetesës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Opozita shqiptare beson se sot është dita kur fillon një ‘epokë e re’ e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Arben Taravari tha se partitë opozitare shqiptare po bashkohen për herë të parë që prej vitit 2011 “prej kur shqiptarët votojnë për ndryshime por nuk kanë mundur të arrijnë të bashkëpunojnë”, sipas tij.

“Shpresoj që më 8 maj të ndodhin ndryshimet e shumëpritura në bllokun politik shqiptar”, tha kreu i Aleancës për Shqiptarët, Taravari.

Bilall Kasami i Lëvizjes Besa vlerëson se ky koalicion është bashkimi më i madh i shqiptarëve në Ballkan, ndërsa theksoi se atij nuk i bashkohen vetëm të korruptuarit dhe oligarkët kriminogjenë; ndërsa shtoi: “Politikës kriminale dhe antishqiptare po i vjen fundi”.

Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike, një parti e re e dalë nga politikanë dhe individë të pakënaqur nga BDI-ja, iu bëri thirrje të gjithëve, “të rinjëve, të papërcaktuarve, të dëshpëruarve, aktivistëve dhe analistëve që t’i bashkohen ndryshimin që po vjen”.

Afrim Gashi i Alternativës u shpreh: “Koha është për një faqe të re, për rrëfim të ri, për diçka që VLEN dhe që lë gjurmë.

Deklarata e përbashkët e VLEN-it thekson bashkëpunimin me BE-në dhe NATO-n, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe barazinë e plotë midis maqedonasve dhe shqiptarëve, si dhe zhvillimin e një strategjie për kthimin e shtetasve që kanë emigruar.

Ky kalicion opozitar po ndodh në një kohë kur njëri prej faktorëve të tij, Aleanca për Shqiptarët po përçahet. Krahu i ish-kreut të ASH-së, Ziadin Sela ka thirrur për të dielën Kongresin e jashtëzakonshëm për ta shkarkuar zotin Taravari nga funksioni i kryetarit të partisë për shkak të bashkimit të tij me opozitën shqiptare, ndërsa planet e partisë ishin që ajo të garonte e vetme në zgjedhje.

Por, përkrahësit e zotit Taravari vepruan me shpejtësi, duke thirrur me urgjencë Kongresin e tyre të premten (16 shkurt) ku shkarkuan zotin Sela nga kryetari i Kuvendit Qendror të ASH-së.

Të dy krahët i cilësojnë si jolegjitime veprimet e kundështarëve respektivë. Me gjasë, organet gjyqsore do të duhet të vendosin se kush do ta drejtojë Aleancën për Shqiptarët.

XS
SM
MD
LG