Bashkimi Evropian konfirmoi të hënën pjesëmarrjen e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë në takimin e 27 shkurtit për çështjen e përdorimit të dinarit serb, që ka ngjallur shqetësime për situatën në vend.
“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm i dialogut do të përqendrohet në zgjidhjen e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për përdorimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian Nabila Massrali.
Nga Serbia është konfirmuar se ekipin serb do ta udhëheqë kryenegociatori Petar Petkoviç ndërsa nga Kosova pritet të marrin pjesë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zyrtarë të kësaj banke thanë se “kohë më parë kemi shprehur gatishmërinë që të angazhohemi dhe takohemi edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të lehtësuar në përzgjedhjen e mënyrës më të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)”.
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim duke theksuar se “ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori sepse çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”. Ai e kritikoi javën e kaluar ndërmjetësuesin evropian Miroslav Lajçak për siç tha caktimin e një takimi pa dakordim paraprak me palët. Zoti Bislimi dhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano shkëmbyen kritika në distancë për këtë çështje.
Zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut e kanë kërkuar edhe diplomatët perëndimor të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.
Rregullorja Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.
Një studim i publikuar nga organizata joqeveritare “Aktiv” me seli në Mitrovicën e Veriut, vë në pah se serbët e Kosovës e shohin veten në një pozitë gjithnjë e më të rrezikuar.
Studimi me titullin “Analiza e Trendit 2023: Qëndrimet e Komunitetit Serb në Kosovë”, është kryer në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe me gjithsej 536 të anketuar.
“Fatkeqësisht, asnjëherë deri më tash nuk kemi pasur tone kaq pesimiste, ku rreth 95 për qind e të anketuarve besojnë se situata në Kosovë nuk po shkon në drejtim të duhur, do të thotë që jeta e serbëve gjatë tri viteve të ardhshme do të përkeqësohet më shumë. Po ashtu dy të tretat e të anketuarve konsiderojnë se paqëndrueshmëria politike është problem kryesor i situatës në të cilën ndodhemi sot dhe që kemi rezultate alarmante”, tha drejtori i organizatës Aktiv me seli në veriun e Mitrovicës, Miodrag Miliçeviç.
Sipas studimit më shumë se 80 për qind e të anketuarve serbë nuk i besojnë asnjë udhëheqësi apo partie politike në Kosovë, ndërsa mbi 50 për qind e tyre edhe më tej konsiderojnë se Rusia është mbrojtësi më i mirë i interesave serbe në Kosovë.
Zoti Miliçeviç tha se një numër i vogël i të anketuarve presin që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Rreth 40 për qind e të anketuarve serbë theksojnë se marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është zgjidhja më e pranueshme. Por me gjithë këtë optimizëm më pak se 20 për qind e tyre apo çdo i pesti i anketuar mendojnë se Asociacioni do të themelohet”, tha ai.
Nesër mbushet një vit që nga arritja e marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve por ende nuk ka filluar të zbatohet.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian Josef Borrell, që ndërmjetësoi marrëveshjen shkroi të hënën se gjatë konferencës së Munihut në Gjermani, “me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka diskutuar në takime të ndara se si të ulen tensionet”, por, fatkeqësisht shkroi, “pa sukses”.