Në një sulm me dron të ushtrisë izraelite të mërkurën në Liban u vranë dy njerëz, përfshirë një anëtar i grupit militant të Hamasit.
Në shënjestër të sulmit ishte një zonë në qytetin Tyre, afër brigjeve të Mesdheut. Mediat shtetërore të Libanit thanë se anëtari i vrarë i grupit militant të Hamasit ishte nga kampi i refugjatëve Rashidieh, një zonë me prani të madhe të militantëve palestinezë.
Ushtria izraelite gjithashtu njoftoi të mërkurën se kishte kryer sulme ajrore në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Khan Younis ndërsa ajo vazhdon operacionin tokësor në Gazën qendrore në përpjekjet e tyre për të shkatërruar Hamasin.
Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi, njoftoi të mërkurën se nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit u vranë mbi 88 palestinezë. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në fillim të tetorit, janë vrarë të paktën 31,272 palestinezë dhe janë plagosur 73 mijë të tjerë. Izraeli thotë se në sulmin e 7 tetorit nga militantët e Hamasit në jug të Izraelit u vranë 1,200 izraelitë dhe 250 të tjerë u morën peng.
Forcat izraelite të martën vonë vranë dy palestinezë në fshatin al-Jib, afër Jeruzalemit, pasi policia izraelite tha se një grup prej pesë palestinezësh po hidhte bomba në drejtim të një autostrade.
Në një incident tjetër, forcat izraelite vranë një 12 vjeçar gjatë përleshjeve në një kamp refugjatësh në periferi të Jeruzalemit.