Lidhje

Shkup, fillon punën misioni vëzhgues i ODIHR-it


Jillian Stirk, Shefe e Misionit të ODIHR-it në Maqedoninë e Veriut
Jillian Stirk, Shefe e Misionit të ODIHR-it në Maqedoninë e Veriut

Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it që u hap sot në Maqedoninë e Veriut do të ketë mbi 300 pjesëtarë, të cilët do të ndjekin procesin e zgjedhjeve të ardhshme në këtë vend. Shtatë kandidatë garojnë për president, por zakonisht askush nuk arrinë të sigurojë fitore që në raundin e parë. Balotazhi i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet bashk me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, e njohur si ODIHR e hapi të enjten misionin vëzhgues për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj.

Shefja e Misionit të ODIHR-it, Ambasadorja Jillian Stirk deklaroi se një ekip prej 12 ekspertësh ndërkombëtarë nga 12 vende anëtare të OSBE-së tashmë ka mbërritur në Shkup. Po ashtu, ODIHR ka ekspertë të tjerë të cilët do të angazhohen në vëzhgimin e punës së administratës zgjedhore, të zbatimit të ligjeve mbi fushatën, mjedisin politik, financimin e fushatës dhe punën e medias.

Shkup, fillon punën misioni vëzhgues i ODIHR-it
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Zonja Stirk tha se një grup i vëzhguesve afatgjatë prej 20 vetësh do të vendosen në qytetet si: Tetova, Ohri, Manastiri, Prilepi, Strumica, Kumanova, Koçana, dhe Shtipi, ndërsa dy ekipe do të qëndrojnë këtu në Shkup. Edhe këta 20 vëzhgues afatgjatë vijnë nga 20 vende të ndryshme të OSBE-së.

Shefja e Misionit të ODIHR-it bëri të ditur se janë kërkuar 300 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të arrijnë pak ditë para datës së zgjedhjeve. Ata do të vizitojnë qendrat e votimit dhe do të vëzhgojnë procesin e votimit dhe të numërimit të votave. Ata do të arrijnë pak para 24 prillit dhe 8 majit.

ODIHR do të përgatisë raportin e parë më 9 prill pas takimeve dhe komunikimeve me të gjitha palët pjesëmarrëse në zgjedhje.

Misioni do t’i trajtotë ndarazi zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, por do të kombinojë gjetjet nga të dy proceset zgjedhore.

Vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian do të arrijnë për raundin e parë të zgjedhjeve presdienciale, ndërsa vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së do të vijnë këtu për zgjedhjet parlamentare dhe raundin e dytë të atyre presidenciale, në muajin maj. Anëtarët e fundit të misionit vëzhgues do të largohen më 19 maj nga Maqedonia e Veriut.

Kjo është hera e 22-të që ODIHR bën vëzhgimin e zgjedhjeve në këtë vend, që nga pavarësia e tij. Puna e vëzhguesve mbështetet në fakte dhe organizata njihet për pavarësinë dhe paanshmërinë e saj.

Zyrtarët e ODIHR-it nuk pranuan të flisnin lidhur me paralajmërimet e BDI-së për mundësinë e shpërthimit të trazirave pas zgjedhjeve. Partia shqiptare, aktualisht në pushtet, dyshon për një “skenar rus” të bashëkrenduar, sipas saj, mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase. Megjithatë autoritetet qeveritare dhe organet e sigurisë në vend nuk kanë folur publikisht nëse mund të ketë tensione pas zgjedhjeve.

Në garën për president të Maqedonisë së Veriut janë shtatë kandidatë, ndër ta dy shqiptarë, njëri i BDI-së dhe tjetri i koalicionit opozitar VLEN, ndërsa gjasat më të mëdha për fitore i kanë kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate, Gordana Siljanovska Davçeva dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski.

XS
SM
MD
LG