Lidhje

Rusia tha se ka arrestuar të dyshuarit për sulmin e së premtes që la të paktën mbi 130 të vrarë


RUSSIA-ATTACK-SHOOTING
RUSSIA-ATTACK-SHOOTING

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli të dielën ditë zie kombëtare, pas një sulmi të armatosur në një sallë koncertesh në Moskë, ku humbën jetën më shumë se 130 persona. 11 persona janë arrestuar deri tani sipas autoriteteve ruse, ndërsa katër prej tyre ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmin e së premtes. Megjithëse jo drejperdrejt dhe pa dhënë prova, zoti Putin tha se Ukraina ishte e lidhur me sulmin, edhe pse grupi Shteti Islamik, dega e Afganistanit mori përgjegjësinë. Ukraina ka mohuar rreptësisht çdo përfshirje. Një zyrtar i zbulimit amerikan tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se autoritetet amerikane kishin konfirmuar se dega e IS-it në Afganistan ishte përgjegjëse për sulmin.

Rusia tha se ka arrestuar të dyshuarit për sulmin e së premtes që la të paktën mbi 130 të vrarë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Autoritetet ruse njoftuan se kishin arrestuar 11 persona, përgjegjës sipas tyre, për sulmin e armatosur në një sallë koncertesh në Moskë, ku mbi 130 persona humbën jetën. Komiteti Hetues i Rusisë tha se katër nga të arrestuarit ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulm.

“Katër të dyshuarit u ndaluan në rajonin Bryansk të Rusisë perëndimore, jo shumë larg kufirit me Ukrainën”, tha Komiteti Hetues i Rusisë. Ata planifikonin të kalonin kufirin në Ukrainë dhe “kishin kontakte atje”, tha agjencia shtetërore e lajmeve Tass, duke cituar autoritetet.

Megjithëse duket se autoritetet ruse duan t’ia kalojnë fajin Ukrainës, një degë e Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Po ashtu, një zyrtar i zbulimit amerikan tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se agjencitë amerikane të zbulimit kishin konfirmuar se ai grup ishte përgjegjës për sulmin.

Menjëherë pas sulmit, disa ligjvënës rusë e drejtuan gishtin nga Ukraina. Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, mohoi çdo përfshirje.

“Ukraina kurrë nuk ka përdorur metoda terroriste. Gjithçka në këtë luftë do të vendoset vetëm në fushën e betejës”, shkruajti ai në rrjetin social X, dikur Tëitter.

Videot e postuara në internet tregojnë persona të armatosur në vendin e ngjarjes duke qëlluar civilë në distance të afërt.

“Të shtënat nuk ishin sporadike, kishte vazhdimisht breshëri armësh. Të gjithë u ngritëm dhe u përpoqëm të dilnim. Njerëzit filluan të vrapojnë dhe u përplasën me njëri-tjetrin, disa u rrëzuan dhe të tjerët shkelën mbi ta”, tregon Dave Primov, dëshmitar i ngjarjes.

Çatia e ndërtesës ku ishte mbledhur turma të premten për një shfaqje të grupit rok rus Picnic, u shemb në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa zjarrfikësit kaluan orë të tëra duke luftuar me zjarrin që shpërtheu gjatë sulmit.

“Pashë që ata po qëllonin drejtpërdrejt në turmën e njerëzve që ishin në rreshtat e parë të sallës së koncerteve. Aty kishte një turmë njerëzish, nuk ishin grupe të shpërndara njerëzish apo pak njerëz, por ishte vetëm një turmë njerëzish që po qëllohej. Thjesht nuk mund ta imagjinoj se çfarë ndodhi”, thotë Dave Primov, dëshmitar i sulmit.

Mijëra njerëz në Moskë ishin në radhë për të dhuruar gjak për të plagosurit. Disa të të tjerë, nga ata që mbijetuan u rikthyen në vendngjarje.

“Ishte ora 19:47. Dëgjova një shpërthim, sinqerisht mendova se ishte ndonjë fishekzjarr. Mendova se, me siguri, artistët erdhën dhe po përshëndeten nga adhuruesit e tyre. Pastaj nisën të shtënat… Nuk po ndaleshin, kishte ulërima, panik. Kuptova se diçka nuk shkonte. Burri im dhe unë e dinim se duhej të shpëtonim veten, të iknim, ai më kapi për dore. Kur ktheva kokën pas pash që njerëzit po qëllonin në sallë. Ata filluan të qëllojnë pa dallim, burri im më tërhoqi dhe ne shkuam nëpër katet e sipërme”, thotë Margarita Bunova, e mbijetuar e sulmit.

Ndërsa shpalli të dielën ditë zie mbarëkombëtare, presidenti rus Vladimir Putin tha se janë vendosur masa shtesë sigurie në të gjithë vendin.

Ai tha se të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin vdekjeprurës do të ndëshkohen. Zoti Putin tha se katër nga sulmuesit e dyshuar u arrestuan ndërsa tentonin të kalonin kufirin drejt Ukrainës dhe sipas tij pala ukrainase ishte përgatitur për t’i lënë ata të kalonin kufirin. Mëgjithatë ai nuk dha asnjë provë për këtë pretendim.

President i Rusisë, Vladimir Putin
President i Rusisë, Vladimir Putin

“Ashtu si nazistët që dikur kryen masakra në territoret e pushtuara, ata planifikuan të organizonin një akt të përgjakshëm frikësimi. Të gjithë autorët, organizatorët dhe ata që urdhëruan këtë krim do të dënohen dhe askush nuk do t’i shmanget drejtësisë. Kushdo që të jenë ata, kushdo që i drejton, e përsëris, ne do të identifikojmë dhe ndëshkojmë të gjithë ata që qëndrojnë pas terroristëve, që përgatitën këtë mizori, këtë goditje kundër Rusisë, kundër popullit tonë”, deklaroi zoti Putin.

Një zyrtar i zbulimit amerikane tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se, në fillim të këtij muaji zyrtarët amerikanë kishin ndarë privatisht me zyrtarët rusë informacione se dega e Shtetit Islamik në Afganistan po planifikonte sulme në Moskë. Zyrtari, i cili foli në kushte anonime pasi nuk ishte i autorizuar të diskutonte publikisht, tha se paralajmërimet nuk u morën seriozisht.

Ndërkohë, Shteti Islamik publikoi të shtunën një fotografi në rrjetin Telegram, që sipas tyre ishin katër autorët e sulmit në Moskë, por vërtetësia e kësaj fotografie nuk mund të verifirkohet në mënyrë të pavarur.

XS
SM
MD
LG