Lidhje

6 personat e zhdukur nga shembja e urës në Baltimorë mendohet të jenë të vdekur

Francis Scott Key Bridge collapse in Baltimore
Francis Scott Key Bridge collapse in Baltimore

Një anije e madhe mallrash humbi kontrollin nga mungesa e energjisë dhe u përplas në urën “Francis Scott Key” në Baltimorë të martën herët, duke e rrëzuar atë në ujë. Shembja e urës fundosi një grup punonjësish të ndërtimit në ujërat me temperaturë të ulët të lumit Patapsco. Ekipet e shpëtimit nxorrën dy persona, por gjashtë të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe supozohet se kanë vdekur. Ekuipazhi i anijes lëshoi alarmin përpara përplasjes me urën “Francis Scott Key”. Guvernatori i Merilendit tha se alarmi i lëshuar nga personeli i anijes u mundësoi autoriteteve të ndërprisnin trafikun e automjeteve mbi urë. Anija goditi një nga shtyllat e urës, duke shkaktuar shembjen e saj brenda pak sekondave.

Baltimorë, përplasja e anijes gjigande shkakton shembjen e urës 2.5 kilometra të gjatë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Ekipet e shpëtimit nxorën dy të mbijetuar, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa vazhdojnë operacionet e shpëtimit në lumin Patapsco poshtë urës së shembur rreth 2.5 kilometra e gjatë.

Një drejtues i lartë i kompanisë, që ka punësuar gjashtë punëtorët e zhdukur, tha të martën pasdite se ata mendohet të kenë vdekur, duke marrë parasysh thellësinë e lumit, temperaturat e ulta dhe kohën që ka kaluar që nga shembja e urës.

Jeffrey Pritzker, nënkryetar ekzekutiv i kompanisë "Brawner Builders", tha se ekuipazhi ishte duke punuar në mes të urës kur ajo u rrëzua. Asnjë trup nuk është gjetur dhe ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet.

Sipas kanalit televiziv ABC News, ekuipazhi i anijes kishte njoftuar autoritetet e Merilendit se kishte humbur kontrollin e anijes gjigande të mallrave pasi motori kishte pësuar avari, ndërsa po dilte nga porti.

Zyrtarët e qytetit Baltimorë thanë se të paktën 7 automjete kishin rënë në ujë por nuk mund të ofronin një shifër të saktë. Sekretari i Transportit të shtetit, Paul Weidefeld, tha për shtypin se përplasja e anijes kishte shkaktuar shembjen katastrofike të urës. Ai tha se përveç makinave të udhëtarëve, në urë kishte edhe punëtorë që punonin për mirëmbajtjen.

“Rreth orës 1:30 të mëngjesit, një anije mallrash që po dilte nga porti i Baltimorës goditi urën ‘Francis Scott Key’, duke shkaktuar shembjen e saj. Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë reaguan menjëherë. Aktualisht po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”.

Guvernatori i Merilendit, Wes Moore, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të aktivizuar burimet federale në lidhje me fatkeqësinë. Zyra e Byrosë Federale të Hetimeve në Baltimorë shkroi në rrjetin X se punonjësit e FBI-së ndodheshin në skenën e ngjarjes. Policia e qytetit tha se aktualisht nuk kishte të dhëna për ndonjë akt terrorizmi.

Inxhinieri i urave Julian Carter tha se shembja e urës në Baltimorë ishte për shkak të strukturës së saj të veçantë, të ndërlidhur dhe dobësive në disa pika. Çdo segment i urës sipas tij, është i lidhur me një segment tjetër në pika të veçanta mbi këmbët e urës.

“Po ta shikosh mënyrën se si u shemb ura, është ajo që ne e quajmë një strukturë të vazhdueshme. Çdo pjesë e vogël është e lidhur me një pjesë tjetër. Për fat të keq është një shembje katastrofike”.

Anija e mallrave Dali, që u përplas me urën, lundronte nën flamurin e Singaporit. Zyrtarët e kompanisë që menaxhon anijen thanë se ajo u përplas me një nga këmbët mbajtëse të urës dhe se ekuipazhi dhe dy kapitenët e saj nuk kishin pësuar lëndime.

Fatkeqësia e së martës në shtetin e Merilendit mund të jetë rasti më i rëndë i incidenteve në ura që nga viti 2007, kur shembja e një ure mbi Lumin Misisipi shkaktoi vdekjen e 13 individëve.

E përuruar në vitin 1977, ura “Francis Scott Key” me katër korsi qëndronte 56 metra mbi lumë. Baltimora është porti më i ngarkuar në Shtetet e Bashkuara për import-eksportin e makinave. Sipas autoriteteve në vitin 2022, në këtë port janë përpunuar më shumë se 750,000 automjete.

Ura e gjatë 2,5 kilometra sherbente si nyje lidhëse me autostradat ndërshtetërore përreth qytetit Baltimorë, një nga portet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Ura mori emrin e Francis Scott Key, autorit të tekstit të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Shkrimtari Key u frymëzua për të shkruar poezinë pasi ishte dëshitar bombardimit britanik të një fortese të madhe ushtarake amerikane në Baltimorë, në vitin 1814.

This item is part of
XS
SM
MD
LG